Ahmet Furkan Mercan
15 Maj 2023•Përditësim: 15 Maj 2023
Qeveria e Japonisë tha se është e shqetësuar nga bashkëpunimi ushtarak i Rusisë dhe Kinës në Azi dhe se siguria e Evropës nuk mund të ndahet nga siguria e Indo-Paqësorit, transmeton Anadolu.
Ministri i Jashtëm japonez, Yoshimasa Hayashi gjatë samitit të mbajtur në kryeqytetin e Suedisë, Stockholm i cili ka mbledhur ministrat e Jashtëm të Indo-Paqësorit, ka reaguar ndaj aktiviteteve të Rusisë dhe Kinës në rajon.
Hayashi tha se janë të shqetësuar nga bashkëpunimi ushtarak i Rusisë dhe Kinës në Azi dhe më tej mbrojti idenë se kriza Rusi-Ukrainë ka treguar që siguria e Evropës nuk mund të ndahet nga siguria e Indo-Paqësorit.
"Sulmet e Rusisë ndaj Ukrainës tronditën rregullin ndërkombëtar", tha Hayashi i cili shtoi se kjo luftë duhet të përballet me përgjigjen e përbashkët të komunitetit ndërkombëtar. "Në të kundërtën do të dalin sfida të ngjashme dhe në rajonet e tjera dhe rregulli aktual që formon bazën e mirëqenies tonë mund të prishet nga themelet", shtoi ai.
Ministri japonez vuri në dukje se vazhdojnë përpjekjet e Kinës për të ndryshuar në mënyrë të njëanshme "status quo"-në në Detin Lindor të Kinës dhe Detin Jugor të Kinës.
"Kina dhe Rusia po forcojnë bashkëpunimin e tyre ushtarak (në rajon), përfshirë fluturime të përbashkëta të avionëve bombardues dhe stërvitje të përbashkëta detare pranë Japonisë", deklaroi Hayashi.
Duke rikujtuar testimet raketore balistike në interval dhe mënyrë të pashembullt të Koresë së Veriut, ministri Hayashi paralajmëroi se përmes këtyre testimeve "përshkallëzohen provokimet" në rajon.