Ekip
20 Qershor 2021•Përditësim: 21 Qershor 2021
Izraeli e ka cilësuar presidentin e sapozgjedhur të Iranit Ebrahim Raisi si udhëheqës "ekstremist" i cili është i përkushtuar pas ambicieve bërthamore të Iranit, transmeton Anadolu Agnency (AA).
"Presidenti i ri i Iranit, i njohur si Kasapi i Teheranit, është një ekstremist përgjegjës për vdekjet e mijëra iranianëve. Ai është i përkushtuar ndaj ambicieve bërthamore të regjimit dhe fushatës së tij të terrorit global”, tha ministri i Jashtëm izraelit Yair Lapid.
Zëdhënësi i Ministrisë Lior Haiat, ndërkohë, tha në një postim në Twitter se zgjedhja e Raisit tregon qëllimet "e vërteta" të Iranit për t'u bërë fuqi bërthamore.
Raisi është "figurë ekstremiste, e përkushtuar ndaj programeve bërthamore ushtarake të Iranit që avancojnë me shpejtësi, zgjedhja e tij i bën të qarta qëllimet e vërteta keqdashëse të Iranit dhe duhet të shkaktojë shqetësim të madh midis komunitetit ndërkombëtar", tha Haiat, duke i bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që "menjëherë" të ndalojë programin bërthamor të Iranit.
Raisi, shefi ultra-konservator i gjyqësorit, fitoi 17,92 milionë vota në zgjedhjet e së premtes, duke mundur tre rivalët e tij me një fitore të thellë.
Pjesëmarrja në votime, sipas Ministrisë së Brendshme, ishte 48,8 për qind, më e ulëta në historinë e Iranit.