Gülşen Topçu,Mustafa Deveci
06 prill 2021•Përditësim: 06 prill 2021
Presidenti izraelit, Reuven Rivlin, ka realizuar bisedime me përfaqësuesit e partive për të përcaktuar se kush do të ngarkohet me formimin e qeverisë së koalicionit, ndërkohë u konstatua se asnjë emër nuk ka marrë mbështetjen parlamentare të kërkuar për të formuar qeverinë pas zgjedhjeve të mbajtura dy javë më parë, raporton Anadolu Agency (AA).
Rivlin u takua me zyrtarët e 13 partive që hynë në parlament për të përcaktuar kandidatin për të formuar një qeveri koalicioni pas zgjedhjeve të mbajtura më 23 mars.
Në bisedime asnjë emër nuk mori mbështetjen e 61 ligjvënësve, numër i cili kërkohet për të formuar qeverinë e koalicionit.
Gjatë bisedimeve, përveç Benjamin Netanyahu-t, edhe Yair Lapid, lideri i partisë "Ka Ardhmëri", dhe udhëheqësi i partisë "Yamina", Naftali Bennet, u emëruan për të formuar qeverinë e koalicionit. 52 deputetë mbështetën Netanyahu-un, 45 Lapid, dhe 7 tjerë Bennet-in.
Pasi të ketë përfunduar bisedimet e tij me partitë, Rivlin do të caktojë kandidatin më të afërt për krijimin e një koalicioni sipas ligjeve të vendit për të formuar qeverinë. Meqenëse asnjë kandidat nuk morri mbështetjen e 61 deputetëve, pritet me kuriozitet se kujt do t'ia japë Rivlin këtë post. Në raste të tilla, udhëheqësi i cili merr mbështetjen më të paktë të deputetëve, mund të caktohet për të krijuar qeverinë e koalicionit, nëse presidenti dëshiron.
Në Izrael, më 23 mars u mbajtën për herë të katërt zgjedhjet e parakohshme të përgjithshme brenda dy viteve.
Në zgjedhje, asnjë parti e vetme nuk siguroi numrin e duhur të deputetëve për të formuar qeverinë.