Ekip
16 Shkurt 2021•Përditësim: 17 Shkurt 2021
Ish-presidenti argjentinas, Carlos Saul Menem, të hënën u varros në një varrezë islame në provincën e Buenos Aires-it, raporton Anadolu Agency (AA).
Varrimi i tij erdhi pasi presidenti aktual Alberto Fernandez deklaroi gjatë fundjavës se Argjentina do të respektojë tre ditë zie kombëtare.
"Ai do të pushojë në varrezat islame së bashku me vëllain tim, edhe pse ai i përmbahej fesë katolike. Por ai do të jetë me vëllain tim", tha të dielën vajza e Menem-it, Zulemita.
Menem lindi më 2 korrik të vitit 1930 nga prindër emigrantë sirianë dhe u rrit si musliman para se të konvertohej në katolicizmin romak për të ndërmarrë një karrierë politike.
Ai u varros pranë djalit të tij Carlos Menem Jr, i cili vdiq në një aksident helikopteri në vitin 1995.
Presidenti Fernandez dhe Zonja e Parë Fabiola Yanez bënë nderimet e tyre.
Fernandez po ashtu i përcolli ngushëllime ish-gruas së Menem-it, Zulema dhe vajzës së tij Zulemita.
Mes masave të forta të sigurisë, një grup njerëzish u mblodhën jashtë varrezave islame të San Justo në lagjen e La Matanza.
Një ceremoni private u mbajt vetëm me miqtë e ngushtë të Menem-it dhe anëtarët e familjes.
Raportet lokale thonë se ka pasur lexim Kurani dhe një recitim të lutjes muslimane.
Pas varrimit, u interpretua kënga e Frank Sinatra-s “My Way”,.
Menem, një figurë e diskutueshme në politikën argjentinase, përjetoi përkeqësim të shëndetit gjatë vitit 2020, duke u shtruar në spital në disa raste.