Bota

Irani: Përfundoi embargoja e armëve që OKB zbatonte prej vitit 2007

"Është një ditë e rëndësishme për komunitetin ndërkombëtar që mbron marrëveshjen bërthamore dhe rezolutën 2231 të KS-OKB-së duke sfiduar përpjekjet e regjimit të SHBA-së"

Ahmet Dursun   | 18.10.2020
Irani: Përfundoi embargoja e armëve që OKB zbatonte prej vitit 2007

Ankara

Irani njofton se ka përfunduar embargoja e armëve që zbatohej ndaj vendit prej vitit 2007 nga Kombet e Bashkuara (OKB) dhe bëri të ditur se që nga sot mund të blejë dhe shesë çdo lloj të armëve konvencionale pa kufizime, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ministria e Jashtme e Iranit në një deklaratë me shkrim tha se në përputhje me marrëveshjen bërthamore të nënshkruar mes Teheranit dhe antëarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe Gjermanisë në vitin 2015 është hequr embargoja ndërkombëtare e armëve e zbatuar prej 15 vitesh dhe ndalesa ndërkombëtare e udhëtimit të vendosur ndaj disa zyrtarëve iranianë.

"Është një ditë e rëndësishme për komunitetin ndërkombëtar që mbron marrëveshjen bërthamore dhe rezolutën 2231 të KS-OKB-së duke sfiduar përpjekjet e regjimit të SHBA-së", thuhet në deklaratë.

Më tej thuhet se që nga sot Irani mund të blejë dhe të shesë ligjërisht armë. "Që nga sot Irani mund të kryejë pa asnjë kufizim ligjor nga çdo burim furnizme për armët dhe pajisjet e nevojshme vetëm për nevojat e tij të mbrojtjes dhe mund të eksportojë armët e tij për mbrojtje në drejtim të politikave të tij", thuhet në deklaratë.

SHBA u tërhoq njëanshëm nga marrëveshja bërthamore në vitin 2018 dhe që nga gushti 2018 filloi të zbatojë kundër Iranit "sanksionet më të rënda në histori" për ta detyruar Teheranin në një marrëveshje të re e cila gjithashtu kufizonte programin raketor dhe dominimin rajonal të Teheranit.

Irani në përgjigje të sanksioneve të SHBA-së ndaloi vitin e kaluar gradualisht angazhimet e tij në marrëveshje pasi nuk arriti të merrte mbështetjen ekonomike që priste nga vendet evropiane.

SHBA dështoi në përpjekjet e saj në muajin gusht në KS-OKB për të rivendosur embargon e armëve që OKB-ja zbatonte ndaj Iranit që nga viti 2007 e deri tani dhe e cila përfundonte sot në kuadër të marrëveshjes bërthamore. Ajo nxiti mekanizmin (snapback) që njeh mundësinë e rivendosjes së sërishme të të gjitha sanksioneve të hequra me rezolutën 2231 të Këshillit duke treguar si arsyetim pezullimin e angazhimeve të Iranit në kuadër të marrëveshjes bërthamore.

Pavarësisht se anëtarët e KS-OKB-së deklaruan se një vend i tërhequr nga marrëveshja nuk mund të vendoste në zbatim mekanizmin (snapback), SHBA-ja më 19 shtator filloi të zbatojë më nënyrë të njëanshme të gjitha sanksionet e OKB-së.

Administrata e SHBA-së njoftoi gjithashtu se do të zbatojë sanksione ndaj vendeve që thyejnë embargon e armëve që ajo zbaton në mënyrë të njëanshme kundër Iranit.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın