Irani njofton zbulimin e rezervave të mëdha të gazit në jug të vendit
Ministri i iranian i Naftës thotë se zbulimi është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të eksplorimit midis provincave Fars dhe Bushehr

Ankara
Irani njofton se ka zbuluar 283.2 miliardë metra kub rezerva gazi natyror në jug të vendit, transmeton Anadolu.
Sipas televizionit shtetëror, ministri i Naftës i Iranit, Mohsen Paknejad, tha se rezervat u gjetën në Fushën e Gazit Pazen, e cila ndodhet në provincën jugore Fars.
Paknejad theksoi se zbulimi erdhi si pjesë e aktiviteteve të vazhdueshme të eksplorimit të naftës dhe gazit në zonën që shtrihet nga fusha Pazen në Farsin jugor deri në pjesët veriore të provincës Bushehr.
"Fusha përmban 10 trilionë feet kub gaz (283.2 miliardë metra kub), me një shkallë rikuperimi prej 70 për qind", tha ai.
Ministri iranian shtoi se rezervat e reja mund të luajnë një rol të rëndësishëm në adresimin e sfidave energjetike të Iranit në vitet e ardhshme.
Sipas Administratës Amerikane të Informacionit për Energjinë (EIA), Rusia mban rezervat më të mëdha të gazit natyror në botë me 47 trilionë metra kub, ndërsa Irani renditet i dyti me 34 trilionë metra kub.
Pavarësisht se zotëron rreth 17 për qind të rezervave të gazit në botë, Irani kërkon investime të konsiderueshme për të zhvilluar fushat e tij kryesore të gazit.
Megjithatë, sanksionet amerikane vazhdojnë të pengojnë kompanitë perëndimore të angazhohen në marrëveshje të lidhura me energjinë me Teheranin. Në vitin 2018, pas rivendosjes së sanksioneve amerikane që synonin industrinë dhe eksportet e naftës së Iranit, gjigandi francez i energjisë Total u tërhoq nga projektet e tij në Iran.
Në muajt e fundit, Irani, një nga mbajtësit kryesorë në botë të burimeve të naftës dhe gazit, ka përjetuar mungesa periodike të energjisë për shkak të efekteve të kombinuara të sanksioneve ekonomike, investimeve të pamjaftueshme në infrastrukturë dhe kërkesës në rritje të brendshme.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.