Irani lëshon breshëri raketash drejt Izraelit
Sirenat e sulmeve ajrore u dëgjuan në zona të gjera në veri të Izraelit ndërsa kanali izraelit "Channel 12" tha se përpjekjet për interceptim janë duke u zhvilluar.
Stamboll
Irani ka lëshuar tre breshëri raketash drejt Izraelit sot në mëngjes, raportoi kanali izraelit "Channel 12", transmeton Anadolu.
Sirenat e sulmeve ajrore u dëgjuan në zona të gjera në veri të Izraelit ndërsa kanali tha se përpjekjet për interceptim janë duke u zhvilluar.
Televizioni shtetëror iranian pretendon se raketat iraniane arritën në qytetin portual Haifa disa minuta pas vërejtjeve të Trumpit se Irani ka vetëm një numër të kufizuar lëshuesish raketash të mbetur.
Sot në një fjalim televiziv nga Shtëpia e Bardhë, presidenti amerikan Donald Trump tha se Irani ka "shumë pak" lëshues raketash duke shtuar se aftësia e tij për të lëshuar raketa dhe dronë është "kufizuar në mënyrë dramatike".
Ai u tha amerikanëve se pret që lufta kundër Iranit të vazhdojë për dy deri në tre javë të tjera, por tha se beson që konflikti po i afrohet fundit.
Rajoni ka qenë në gatishmëri që kur SHBA-ja dhe Izraeli nisën ofensivë ajrore më 28 shkurt, duke vrarë deri më tani mbi 1.340 njerëz, përfshirë ish-udhëheqësin suprem Ali Khamenei.
Irani është kundërpërgjigjur me sulme me dronë dhe raketa që kanë shënjestruar Izraelin, së bashku me Jordaninë, Irakun dhe vendet e Gjirit që strehojnë asete ushtarake amerikane, duke shkaktuar viktima dhe dëme në infrastrukturë ndërsa kanë prishur tregjet dhe aviacionin global.
