Erdoğan Çağatay Zontur
23 Nëntor 2020•Përditësim: 23 Nëntor 2020
Së paku tre zyrtarë sigurie janë vrarë të dielën gjatë një sulmi të grupit terrorist DEASH në provincën perëndimore të Irakut, Anbar, bëri të ditur një burim i sigurisë, raporton Anadolu Agency (AA).
Anëtarët e grupit terrorist i zunë pritë një automjeti që mbante zyrtarë në zonën Al Sakar, tha për AA, kapiteni i policisë Ahmed Duleymi.
Terroristët po ashtu rrëmbyen një shofer kamioni, fati i të cilit nuk dihet, shtoi Duleymi.
Në muajt e fundit, militantët e dyshuar të DEASH-it kanë shtuar sulmet, veçanërisht në provincat Kerkuk, Salahuddin dhe Diyala, të njohur si "Trekëndëshi i Vdekjes".
Në vitin 2017, Iraku shpalli fitoren mbi DEASH-in duke rimarrë të gjithë territorin e tij të pushtuar nga grupi terrorist në vitin 2014, i cili përbën rreth një të tretën e zonës së vendit.
Por grupi terrorist ende mban celula të fjetura në zona të mëdha të Irakut dhe periodikisht kryen sulme.