Ekip
03 Dhjetor 2021•Përditësim: 04 Dhjetor 2021
Autoritetet lokale kanë njoftuar se numri i viktimave nga sulmi terrorist i DEASH në pjesën veriore të Irakut është rritur në 13, raporton Anadolu Agency (AA).
Gjithsej 10 ushtarë Peshmerga të Qeverisë Rajonale Kurde (KRG) dhe 3 civilë u vranë sot herët në sulmin nga terroristët e DEASH-it në veri të Irakut në fshatin Khadirjija, që ndodhet rreth 50 kilometra në jug të Erbilit, tha guvernatori Umit Hosnav në një deklaratë me shkrim.
Mbrëmë, një burim pranë forcave Peshmerga për AA tha se në sulmin ndaj fshatit Khadirjija kishin mbetur të vrarë 3 djemtë e kryeplakut të fshatit.
Të shtunën, 6 persona u vranë në një sulm tjetër të dyshuar të DEASH-it në qarkun Koljo në rajonin Garmian në veri të Irakut, tha një oficer i KRG-së.
Sulmet për të cilat fajësohen luftëtarët e DEASH-it janë përshkallëzuar në Irak në muajt e fundit, veçanërisht në provincat Salahuddin, Diyala, dhe Kirkuk.
Në vitin 2017, Iraku shpalli fitore ndaj DEASH-it duke rikthyer rreth 1/3 e territorit të vendit të okupuar nga grupi terrorist në vitin 2014.
Mirëpo, grupi terrorist akoma ka celula të fshehura në zona të Irakut dhe periodikisht lançon sulme. Ushtria irakiane edhe më tej zhvillon operacione kundër grupit terrorist në pjesë të vendit.