Mohamed Sabry Emam Muhammed
29 Tetor 2019•Përditësim: 30 Tetor 2019
Guvernatori i Qerbelasë në Irak, Nassif al-Khattabi sot mohoi raportet për vdekjet midis protestuesve irakianë në provincën jugore, transmeton Anadolu Agency (AA).
Raportet e mediave më herët theksuan se të paktën 20 persona u vranë dhe qindra të tjerë u plagosën kur forcat e sigurisë shpërndanë protestën në qendër të Qerbelasë.
Duke u adresuar në një konference për media, Al-Khattabi tha se videot që qarkullojnë rreth vdekjeve midis protestuesve në provincë janë "të fabrikuara".
"Forcat e sigurisë kanë ushtruar përmbajtje maksimale", tha ai, duke shtuar se disa personelë të sigurisë u plagosën
Guvernatori akuzoi protestuesit "për mbajtjen e armëve dhe një bombe të ndaluar ndërkombëtarisht", pa e sqaruar më tej.
Shefi i policisë në Qerbela, Ahmed Zweini, nga ana e tij, akuzoi protestuesit se po hidhnin bomba ndaj forcave të sigurisë.
Ndërkohë Komisioni i Lartë për të Drejtat e Njeriut në Irak rishikoi një deklaratë të mëparshme në të cilën thuhej se 18 persona janë vrarë, duke thënë se vetëm një demonstrues u vra dhe 192 të tjerë u plagosën.
Ministria e Mbrojtjes tha se vetëm 53 civilë dhe 90 personelë të sigurisë u plagosën në protestat në provincë.
Sipas grupeve të të drejtave të njeriut, mbi 80 persona humbën jetën dhe më shumë se 3.600 të tjerë u plagosën që kur filloi vala e dytë e protestave në disa provinca irakiane.
Vala e parë e protestave në fillim të tetorit la të vdekur 149 protestues dhe 8 personelë të sigurimit.
Vitet e fundit në Irak është ndërtur zemërimi për shkak të rritjes së papunësisë dhe korrupsionit të shfrenuar. Shumë njerëz në vend kanë qasje të kufizuar në shërbimet themelore siç janë energjia elektrike dhe uji i pastër.