Indonezia pezullon vendosjen e trupave në Gaza mes tensioneve në Lindjen e Mesme
Prasetyo përmendi “përkeqësimin e situatës së sigurisë në rajon si arsye kryesore për shtyrjen pa afat” të pjesëmarrjes në misionin ISF, i cili u miratua nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së në nëntor të vitit të kaluar
Stamboll
Indonezia ka pezulluar planet për të vendosur deri në 8 mijë trupa në enklavën palestineze të Gazës, transmeton Anadolu.
Siç raporton Antara News, ministri i Sekretariatit të Shtetit, Prasetyo Hadi, pas një takimi koordinues në Ministrinë e Mbrojtjes tha se “gjithçka është pezulluar”.
Më parë, Xhakarta premtoi dërgimin e trupave në kuadër të Forcës Ndërkombëtare të Stabilizimit (ISF) në enklavën e shkatërruar palestineze të Gazës.
Prasetyo përmendi “përkeqësimin e situatës së sigurisë në rajon si arsye kryesore për shtyrjen pa afat” të pjesëmarrjes në misionin ISF, i cili u miratua nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së në nëntor të vitit të kaluar pas një rezolute të udhëhequr nga SHBA-ja.
Më herët, edhe presidenti indonezian, Prabowo Subianto, tha se plani i Xhakartës për të dërguar trupa paqeruajtëse në Gaza është vendosur “në pritje”.
Tensionet në Lindjen e Mesme janë përshkallëzuar që kur SHBA-ja dhe Izraeli nisën luftën kundër Iranit më 28 shkurt, duke nxitur kundërpërgjigje nga Teherani ndaj Tel Avivit dhe bazave amerikane në rajonin e Gjirit.
Sipas raportimeve rajonale, konflikti ka shkaktuar më shumë se 1.300 viktima, përfshirë zyrtarë të lartë iranianë.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
