Aşkın Kıyağan
03 Nëntor 2021•Përditësim: 03 Nëntor 2021
Presidenti i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), Rafael Mariano Grossi tha se kanë vështirësi në vazhdimin e studimeve të verifikimit dhe vëzhgimit në lidhje me aktivitetet bërthamore të Iranit dhe se kjo situatë duhet të zgjidhet, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në Konferencën e 26-të të OKB-së për Ndryshimet Klimatike (COP26) në Glasgow të Skocisë, Grossi dha deklarata për Associated Press (AP).
- Kreu i IAEA-së dëshiron të takohet me zyrtarët iranianë
Grossi e krahasoi punën e IAEA-së për verifikimin dhe monitorimin e programit bërthamor të këtij vendi me një "fluturim në mot me re" dhe tërhoqi vëmendjen për vështirësinë e inspektorëve të agjencisë në marrjen e informacionit.
Duke thënë se kjo situatë nuk mund të vazhdojë, Grossi tha se shpreson të takohet me zyrtarë të lartë iranianë në Teheran në të ardhmen e afërt për të siguruar që IAEA të vazhdojë plotësisht aktivitetet e saj të verifikimit dhe vëzhgimit.
Grossi në takimin me presidentin e Autoritetit të Energjisë Atomike të Iranit, Mohammad Islami në Teheran më 13 shtator, ra dakord që pajisjet e nevojshme për verifikimin dhe monitorimin e aktiviteteve bërthamore të këtij vendi të mbikëqyren nga inspektorët e institucionit dhe të rinovohen kartat për pajisjet regjistruese si kamerat. Ai njoftoi se në të ardhmen e afërt do të bëhen mirëmbajtje dhe ndryshime të pajisjeve.
Që nga shkurti, IAEA ka pasur probleme me qasjen në kamera dhe pajisje të ngjashme që përdoren për verifikim dhe vëzhgim në objektet bërthamore të Iranit.