Ahmed Asmar
19 Nëntor 2024•Përditësim: 19 Nëntor 2024
I dërguari special i SHBA-së, Amos Hochstein, këtë mëngjes mbërriti në kryeqytetin libanez Bejrut për të rifilluar bisedimet e armëpushimit me zyrtarë të lartë libanezë, raporton Anadolu.
Agjencia Kombëtare Libaneze e Lajmeve (NNA) konfirmoi se Hochstein mbërriti në Aeroportin Ndërkombëtar Rafic Hariri në Bejrut.
Një burim i informuar tha për Anadolu se është paraparë që Hochstein të takohet me kryetarin e parlamentit Nabih Berri dhe kryeministrin Najib Mikati për të shqyrtuar mundësinë e arritjes së një armëpushimi midis Izraelit dhe grupit libanez Hezbollah.
SHBA, aleati kryesor i Izraelit, po ndërmjetëson midis Tel Avivit dhe Bejrutit për të arritur një marrëveshje armëpushimi për t'i dhënë fund sulmeve më shumë se një vjeçare midis Hezbollahut dhe Izraelit.
Përpos Libanit, Hochstein nesër pritet të udhëtojë në Izrael.
Javën e kaluar, kryetari i parlamentit libanez Nabih Berri konfirmoi se Bejruti ka marrë një propozim të SHBA-së për një armëpushim me Izraelin.
Ai, megjithatë, mohoi se propozimi "përfshin çdo lloj lirie të lëvizjes për ushtrinë izraelite në Liban", një kusht që ai e përshkroi si "të papranueshëm dhe të panegociueshëm". Ai përsëriti refuzimin e Libanit për të bërë kompromis mbi sovranitetin e tij.
Izraeli ka qenë i përfshirë në një luftë ndërkufitare me Libanin, duke nisur një fushatë ajrore kundër asaj që pretendon se janë objektiva të grupit Hezbollah në fund të shtatorit.
Më shumë se 3.500 njerëz janë vrarë nga sulmet izraelite në Liban, me afro 15 mijë të plagosur dhe më shumë se një milion të zhvendosur që nga tetori i kaluar, sipas autoriteteve shëndetësore libaneze.
Tel Avivi e zgjeroi konfliktin duke nisur një sulm tokësor në Libanin jugor më 1 tetor të këtij viti.