Mehmet Yılmaz
28 Tetor 2017•Përditësim: 29 Tetor 2017
BUDAPEST (AA) – Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Hungarisë, Peter Szijjarto tha se shteti i tij i ka vënë veto takimit të Komisionit NATO-Ukrainë, i cili duhet të mbahet në muajin dhjetor, raporton Anadolu Agency (AA).
Ai tha se me ndryshimin e ligjit për arsim Ukraina e ka goditur me "thikë pas shpine" Hungarinë. Ministri Szijjarto në një deklaratë në Budapest tha se “Hungaria nuk i mbështet aspiratat e Ukrainës për integrim. Për këtë arsye ka vënë veto ndaj takimit të Komisionit NATO-Ukrainë, i cili do të mbahet në muajin dhjetor”.
Szijjarto thotë se ndryshimi në ligjin për arsim në Ukrainë ka shkelur në mënyrë serioze të drejtat e pakicave në vend dhe shtoi se ligji në fjalë duhet të tërhiqet.
“Kur ligji për arsim u miratua në Parlamentin e Ukrainës, ne dolëm me qëndrim se Hungaria do t’i përdorë të gjitha mjetet diplomatike deri sa ky ligj të tërhiqet. Përderisa hungarezët në Karpate nuk tregojnë se është përmirësuar gjendja e tyre, ne do të vazhdojmë të marrin hapa të ngjashëm diplomatik si ky”, tha ministri i Jashtëm hungarez, Szijjarto.
Ai në një deklaratë të mëparshme ka thënë se Hungaria do të veprojë në partneritet me Bullgarinë, Rumaninë dhe Greqinë lidhur me ndryshimin e ligjit për arsim në Ukrainë.
“Me ndryshimin në ligjin për arsim, Ukraina ka goditur me ‘thikë pas shpine’ Hungarinë”, theksoi Szijjarto.
Me ndryshimin e ligjit për arsimin, hungarezët në Ukrainë nuk mund të mësojnë në gjuhën e tyre amtare në arsimin e mesëm, të lartë dhe atë universitar.