Ekip
14 Shtator 2020•Përditësim: 14 Shtator 2020
Brigadat Izedin al-Kasam, krahu i armatosur i grupit Hamas, ka thënë se ka nxjerrë qindra predha nga dy anije luftarake britanike të fundosura në brigjet palestineze, transmeton Anadolu Agency (AA).
Komandant i grupit, i cili përdor emrin e koduar Abu Mousa, deklaroi për televizionin Al Jazeera me bazë në Doha se qindra predha mortaje u gjetën brenda dy anijeve.
Një tjetër anëtar i al-Kasam, i cili njihet me emrin Abu Salman, tha se predhat u testuan nga grupi dhe ata shkatërruan me sukses objektivat e tyre.
Nuk u dhanë detaje të tjera në lidhje me datën e nxjerrjes së predhave.
Anija luftarake HMS M15 e Marinës Mbretërore të Britanisë së Madhe u fundos pranë Gazës në vitin 1917 gjatë Luftës së Parë Botërore.
Gjatë intervistës televizive, Brigadat Izedin al-Kasam thanë se ata arritën të prodhonin raketa nga eksplozivët e mbetur nga Izraeli gjatë luftës së vitit 2014 në Rripin e Gazës.