Bota

Hallgrimskirkja, kisha në Islandë e frymëzuar nga vullkani

Kisha Hallgrimskirkja, konsiderohet si një nga veprat më të rëndësishme të arkitekturës ekspresioniste dhe shquhet si kisha më e lartë e vendit me lartësinë e saj 74.5 metra

Veysel Altun  | 08.12.2025 - Përdıtësım : 08.12.2025
Hallgrimskirkja, kisha në Islandë e frymëzuar nga vullkani Foto: Veysel Altun/AA

Reykjavik

VEYSEL ALTUN

E frymëzuar nga një vullkan dhe lehtësisht e dukshme nga të gjitha pjesët e qytetit, Kisha Hallgrimskirkja në Reykjavik, kryeqytetin e Islandës, spikat me strukturën e saj arkitekturore, raporton Anadolu.

Kisha Hallgrimskirkja, konsiderohet si një nga veprat më të rëndësishme të arkitekturës ekspresioniste, një rrjedhë arti e shekullit të 20-të e cila në vend të përfaqësimit të natyrës ashtu siç është, nxjerr në pah emocionet dhe botët e brendshme dhe shquhet si kisha më e lartë e vendit me lartësinë e saj 74.5 metra.

E frymëzuar nga natyra e Islandës, një vend ishullor vullkanik, struktura madhështore spikat me pjesën e saj të jashtme të detajuar, që të kujton lavën që rrjedh nga një vullkan dhe më pas shndërrohet në bazalt.

Sipas burimeve që lidhen me kishën, projektimi i Kishës Hallgrimskirkja u iniciua nga Gudjon Samuelsson në vitin 1937.

Ndërtimi i kishës, që filloi në vitin 1945, u përfundua në vitin 1986, 36 vjet pas vdekjes së arkitektit të saj, Samuelsson.

Struktura 74.5 metra e lartë i impresionon vizitorët edhe me akustikën e saj.

Gjithashtu tërheq vëmendjen, statuja e eksploruesit islandez Leif Erikson që ndodhet në hyrje të kishës. Kjo statujë, lehtësisht e dukshme edhe nga larg, është një vepër e Alexander Stirling Calder.

- "U ndërtua duke iu referuar shpërthimeve vullkanike dhe shkëmbinjve të bazaltit"

Uraz Kaspar, një akademik dhe gazetar turk që jeton në Islandë, tha për Anadolu se Kisha Hallgrimskirkja është një simbol i vendit.

Duke vënë në dukje se kjo kishë mund të shihet nga e gjithë Reykjaviku, Kaspar u shpreh: "Struktura e kolonave e përdorur jashtë kishës është një referencë arkitekturore për shpërthimet vullkanike të Islandës dhe shkëmbinjtë e bazaltit. Brenda, ndodhet një nga organet më të mëdha në botë të kishës me kolonë në formën fizarmonike. Koncerte dhe tubime shumë të rëndësishme zhvillohen këtu, dhe është gjithashtu një kishë aktive. Struktura fetare e Islandës është shumë e favorshme për këtë".

Kaspar vuri në dukje se 60 për qind e vendit është e krishterë-luterane dhe më tej shtoi se "Hallgrimskirkja është gjithashtu një kishë luterane. Ka rreth 5 për qind katolikë në vend. Në Islandë ndodhet gjithashtu edhe një xhami. Ndërsa popullsia myslimane është rreth 4 për qind".

Më tej Kaspar shtoi se statuja prej bronzi e Leif Erikson përpara kishës mban një vend të rëndësishëm si në art ashtu edhe në kulturë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.