Mohamad Misto,Afra Aksoy
27 Korrik 2016•Përditësim: 28 Korrik 2016
HALEP (AA) - MUHAMMED MİSTO – Në qytetin Halep të Sirisë i cili nga toka është i bllokuar dhe nga ajri bombardohet, ndërsa së fundmi edhe shumica e spitaleve janë në gjendje të papërdorshme, thuhet se populli po lufton për mbijetesë në “qarkun e vdekjes së trefishtë”, raporton Anadolu Agency (AA).
Halepi, të cilin ekspertët e llogarisin si një nga qytetet më të rrezikshme në botë, prej katër vitesh pa ndërprerë ka qenë shënjestër e sulmeve me bomba. Qyteti është i përfshirë nga rrënojat dhe vdekja në çdo cep, ndërsa me mbylljen e rrugës Kastillo si pika e vetme dalëse nga qyteti, thuhet se populli prej tri javësh ka ngelur nën bllokadë në kuptimin e plotë të fjalës.
Qytetit i janë shkëputur lidhjet me botën e jashtme, kurse shumica e organizatave shëndetësore nuk mund të ofrojnë shërbime për shkak të dëmeve që kanë pësuar nga sulmet dhe mungesës së pajisjeve mjekësore.
Drejtori i Shëndetit që lidhet me grupet opozitare në Halep, Abdulbasit Ibrahim, duke u shprehur se shërbimet shëndetësore në qytet po përpiqen të mbahen vetëm nga tri spitale, tha se spitali Dakkak, spitalet Beyan, spitali për fëmijë Hakim, spitalet për sëmundje të grave Seyyide Zehra janë detyruar t’i ndërpresin shërbimet për arsye se kanë qenë shënjestër e sulmeve të regjimit të mbështetura nga ajri nga avionët rusë.
Ibrahim po ashtu potencoi se aktivitetet i ka ndërprerë edhe Qendra Shëndetësore Sher’iyye e cila humbi gjashtë pjesëtarë të personelit si pasojë e sulmeve ajrore.
Duke theksuar se nuk do të jetë e lehtë kthimi në punë i spitaleve që në afat të pacaktuar i kanë ndërprerë aktivitetet si pasojë e sulmeve, Ibrahim tha se “Është e pamundur të përshkruhen me fjalë ato që po ndiodhin. Numri i përgjithshëm i doktorëve që po ushtrojnë detyrën në Halep nuk kalon mbi 30. Kuadri aktual shëndetësor është i pamjaftueshëm për t’i ofruar shërbime të gjithë të sëmurëve në këtë qytet i cili bombardohet vazhdimisht. Është shqetësues fakti se bota po i injoron ndodhitë në Halep".
Drejtori i shëndetësisë Ibrahim theksoi se personeli shëndetësor është i detyruar të pranojë edhe pacientë me sëmundje jashtë fushës së eksertizës së tyre, duke shtuar se po përjetojnë vështirësi në trajtimet e sëmundjeve të cilat mund të trajtohen vetëm nga mjekë specialistë, siç janë sëmundjet neurologjike.
- “Prodhimet ushqimore nëpër depo mund të mjaftojnë vetëm edhe për tre muaj” -
Nga ana tjetër, zëdhënësi i Kuvendit lokal të Halepit Beshir el-Havi u shpreh se gjendja e popullatës e cila është nën bllokadë do të përkeqësohet çdo ditë e më shumë.