Grupit britanik të repit Bob Vylan mund t'i ndalohet hyrja në SHBA
Pretendohet se grupit britanik i repit punk, Bob Vylan i cili performoi në Festivalin "Glastonbury" në Britani, mund t'i ndalohet hyrja në SHBA për shkak të sloganeve "Liri për Palestinën" dhe "Vdekje ushtrisë izraelite"

Stamboll
Pretendohet se grupit britanik i repit punk, Bob Vylan i cili performoi në Festivalin "Glastonbury" në Britani, mund t'i ndalohet hyrja në SHBA për shkak të sloganeve "Liri për Palestinën" dhe "Vdekje ushtrisë izraelite" të brohoritura gjatë performancës së tij, transmeton Anadolu.
Sipas lajmit të "The Daily Wire", bazuar në një zyrtar të lartë të Departamentit të Shtetit të SHBA-së, Bob Vylan është planifikuar të performojë në afërsisht 20 qytete, përfshirë Washington DC, si pjesë e turneut të tij në SHBA.
Zyrtari pretendon se anulimi i vizave të Bob Vylan ishte duke u shqyrtuar tashmë para turneut të tij në SHBA. "Si kujtesë, nën administratën e Trumpit, qeveria amerikane nuk do t'u japë viza amerikane asnjë të huaji që mbështet terroristët".
- Në festival u brohoritën sloganet "Vdekje ushtrisë izraelite"
Grupi britanik i repit punk Bob Vylan performoi në Festivalin "Glastonbury" me famë botërore në Britani dhe gjatë performancës së tij brohoriti sloganet "Liri për Palestinën" dhe "Vdekje ushtrisë izraelite", ndërkohë që edhe fansat e tij iu bashkuan brohoritjeve.
Edhe grupi irlandez i repit, Kneecap i cili performoi në festival dha mesazhe mbështetjeje për Palestinën dhe dërgoi përshëndetje nga skena grupit pro-palestinez "Palestine Action", të cilin qeveria britanike po përgatitet ta ndalojë.
BBC, e cila transmetoi drejtpërdrejt festivalin, transmetoi performancën e grupit Bob Vylan pa censurë, por nuk e transmetoi drejtpërdrejt performancën e Kneecap, duke cituar rregullat editoriale.
Ambasada izraelite në Londër reagoi ndaj deklaratave anti-izraelite të përdorura në festival në një postim në llogarinë e saj X, duke deklaruar se është "e shqetësuar". Ambasada pretendon se në koncert janë bërë "thirrje për spastrim etnik" kundër hebrenjve.