Ahmet Furkan Mercan
08 shtator 2022•Përditësim: 08 shtator 2022
Faqet e internetit të kompanive Tokyo Metro dhe Osaka Metro në Japoni kanë mbetur jashtë funksioni pasi u sulmuan nga grupi rus i hakerëve Killnet të cilët kanë marrë përsipër sulmin, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas lajmit të agjencisë Kyodo, grupi rus i hakerëve Killnet vazhdon sulmet kibernetike që ka ndërmarrë gjatë javës ndaj portaleve të qeverisë japoneze.
Grupi mbrëmë natën publikoi mesazhin se "Është shpallur luftë ndaj fushatës anti-ruse të Japonisë dhe se do të ndalin rrjetin e metrosë në Tokio".
Më pas uebfaqet e kompanive Tokyo Metro dhe Osaka Metro u bënë të paaksesueshme. Sulmet në fjalë u morën përsipër në median sociale nga grupi rus i hakerëve Killnet.
Në këtë sulm u përdor metoda e sulmit "DDoS", në të cilën anëtarët dërguan grumbuj të dhënash nga shumë burime në një kohë të shkurtër duke neutralizuar rrjetin.
Një ditë më parë me sulme të ngjashëm u përballën edhe faqet e internetit të qeverisë japoneze përfshirë edhe portalin "e-Gov" në të cilat u penguan monitorët e shërbimit.
Matsuno Hirokazu, kryesekretari i kabinetit ka njoftuar se nuk ka pasur rrjedhje të dhënash pavarësisht pengesës ndaj 23 faqeve të internetit të 4 ministrive.
Grupi i hakerëve Killnet, njihet me sulmet e tij kibernetike ndaj faqeve të internetit të vendeve që veprojnë përkrah Ukrainës përballë sulmeve të Rusisë.