Derya Gülnaz Özcan, Tevfik Durul
07 Korrik 2022•Përditësim: 08 Korrik 2022
Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Dendias ka mbrojtur idenë se Greqia është vendi i vetëm që mbështet perspektivën e Türkiye-s (Turqisë) në Bashkimin Evropian (BE) dhe tha se nuk ka asnjë arsye që Greqia dhe Türkiye të mos jenë miqtë më të mirë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Gjatë një takimi bashkëbisedues në kuadër të Konferencës së "Economist" që këtë vit u mbajt për të 26-ën herë, Dendias tha se marrëdhëniet me Türkiye-n janë shumë të rëndësishme për Greqinë. "Por, marrëdhëniet me Türkiye-n duhet të kenë një bazë shumë solide ashtu si vendet e tjera të botës. Çfarë është kjo bazë solide? Respektimi dhe toleranca reciproke për ligjin ndërkombëtar, ligjin ndërkombëtar detar, të drejtat e njeriut, të drejtat e grave", tha Dendias.
Ai theksoi se Greqia në 30 vitet e fundit ka besuar se Türkiye do të afrohet me BE-në. "Greqia është vendi i vetëm që mbështet këtë dëshirë (anëtarësimin në BE) të Türkiye-s. Dhe vazhdon ta mbështesë", tha shefi i diplomacisë greke.
Dendias pretendon se Greqia në të gjitha çështjet vepron duke u bazuar në ligjin ndërkombëtar. Ai mbron idenë se nëse edhe Türkiye vepron në këtë mënyrë, Greqinë dhe Türkiye-n e pret një e ardhme e shndritshme por që kjo mund të marrë pak kohë.
Duke mbrojtur idenë e tij se Türkiye dhe Greqia nuk kanë mundur të arrijnë një zgjidhje të përbashkët për shkak se problemet aktuale janë përpjekur t'i zgjidhin me mënyra të ndryshme, Dendias tha: "Nuk ka asnjë arsye që Greqia dhe Türkiye të mos jenë miqtë më të mirë. Por, Türkiye duhet të pranojë ligjin ndërkombëtar dhe ligjin ndërkombëtar detar".