Ekip
19 nëntor 2021•Përditësim: 19 nëntor 2021
Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, ka njoftuar se duke filluar nga java e ardhshme të gjithë banorët e rritur të pa vaksinuar do të ndalohen të hyjnë në ambiente të mbyllura, përfshirë palestra apo muze, pavarësisht nëse kanë ose jo test negativ për koronavirusin e ri (COVID-19), transmeton Anadolu Agency (AA).
Mitsotakis tha se masat u morën me qëllim që "të kemi Krishtlindje më të mirë se vitin e kaluar".
Ai i bëri komentet në një fjalim televiziv drejtuar kombit në një përpjekje për të vaksinuar më shumë njerëz pasi vendi ka regjistruar rritje të shpejtë të infeksioneve dhe vdekjeve nga COVID-19.
Të rriturit e pa vaksinuar deri më tani nuk janë lejuar brenda në restorante dhe kafene.
Për sa u përket atyre që shkojnë në kishë, të pa vaksinuarit do të duhet të japin një test laboratorik negativ, i cili tashmë është kërkuar nga Sinodi i Shenjtë i Kishës Ortodokse të Greqisë.
Mitsotakis gjithashtu tha se certifikatat e vaksinimit për ata mbi 60-vjeç do të "skadojnë" shtatë muaj pasi të jenë vaksinuar plotësisht dhe atyre do t'u jepet një muaj kohë për të marrë vaksinë përforcuese.
Mitsotakis tha se orari i punës do të zgjatet në sektorin publik dhe privat për të shmangur mbipopullimin dhe me dispozita të veçanta për punonjësit me nxënës.
Ai tha se kontrollet do të jenë edhe më të gjera pasi të gjithë duhet të marrin përgjegjësinë, duke shtuar se Sistemi Kombëtar Shëndetësor në Greqi do të forcohet më tej me mjekë të sektorit privat dhe njësi shtesë të kujdesit intensiv të klinikave private.
Sipas Organizatës Kombëtare të Shëndetit Publik, Greqia së fundmi konfirmoi 7.317 infeksione të reja.