Ekip
02 shkurt 2018•Përditësim: 02 shkurt 2018
ATHINË (AA) – Një gjykatë greke ka refuzuar të miratojë esktradimin e një prej nëntë qytetarëve turq të akuzuar si anëtarë të grupit terrorist DHKP-C, transmeton Anadolu Agency (AA).
Vitin e kaluar pas arrestimit të tyre, mediat greke raportuan se të dyshuarit terroristë të ekstremit të majtë kishin përgatitur kompot për të vrarë presidentin turk, Recep Tayyip Erdoğan, gjatë vizitës së tij në Greqi dhjetorin e kaluar.
Sipas Agjencisë greke të lajmeve "AMNA", Gjykata e Apelit vendosi në përputhje me sugjerimet e prokurorëve duke mohuar kërkesën e Ankarasë për ekstradim, me arsyetimin se Mehmet Dogan është njohur si një “refugjat politik” nga autoritetet franceze.
Prokurori Efstathia Kapagianni tha se vendimi francez, i kombinuar me dokumentet e udhëtimit të Dogan-it, sugjeron se ai është i mbrojtur me Konventën e Gjenevës.
Vendimi gjithashtu pohon se nëse Dogan do t’i dorëzohet Turqisë, jeta e tij do të ishte në rrezik.
Dogan u arrestua nëntorin e kaluar në Athinë së bashku me tetë shtetas turq të akuzuar për themelim dhe pjesëmarrje në një organizatë terroriste, si dhe për posedim të eksplozivëve dhe armëve në mënyrë të paligjshme, midis akuzave të tjera.
Ankaraja ka kërkuar ekstradimin e të paktën dy të akuzuarve. Kërkesa e dytë për ekstradim do të dëgjohet në gjykatë të martën e ardhshme, më 6 shkurt.
Refuzimi i gjykatave greke për të ekstraduar në Turqi terroristët e akuzuar, sidomos tetë ish-ushtarët e akuzuar për pjesëmarrje në tentativën për grusht shtet të vitit 2016 në Turqi, ka shtuar tensionet në lidhjet mes Ankarasë dhe Athinës.