Adham Kako
07 Mars 2019•Përditësim: 08 Mars 2019
ADHAM KAKO
Kryetari i Koalicioni Kombëtar të Opozitës Siriane dhe Forcave Revolucionare, Abdurrahman Mustafa, tha se gratë siriane janë përballur me padrejtësi nga regjimi i Bashar al-Assad dhe se gratë e pafajshme që janë në burgje duhet të lirohen.
Mustafa në një deklaratë për Anadolu Agency (AA) me rastin e 8 Marsit - Ditës Ndërkombëtare të Gruas ka bërë të ditur se regjimi i Asadit në Siri ka privuar shumë gra nga të drejtat e tyre.
"Regjimi i Asadit prej vitesh vazhdon luftën e tij kundër popullit. Ende dhjetëra mijëra gra persekutohen dhe torturohen në mënyrë të pafajshme në burgjet e regjimit. Ato duhet të lirohen pa kushte sa më shpejtë që të jetë e mundur", tha Mustafa i cili ka nënvizuar se mijëra gra kanë humbur jetën në sulmet e regjimit që nga fillimi i luftës së brendshme e deri më tani.
Ai thotë se gratë janë përballur me padrejtësi nga regjimi sirian. "Me fillimin e revolucionit, gratë siriane ishin në ballë të kryengritjeve dhe protestave paqësore popullore kundër regjimit. Ato kanë marrë pjesë në fushata për të mbështetur ndihmat humanitare dhe të burgosurit. Për revolucionin kanë dhënë mbështetje në çdo fushë", tha Mustafa.
Sipas tij, Koalicioni Kombëtar i Opozitës Siriane dhe Forcave Revolucionare i mbron të drejtat e grave. "Gratë janë ato që kanë humbur më shumë në luftën e Sirisë, ato duhet të jenë arkitektë të paqes. Duhet të marrin pjesë në mënyrë aktive brenda zgjidhjes politike. Ne si Koalicion Kombëtar i Opozitës Siriane dhe Forcave Revolucionare punojmë që gratë të arrijnë në pozitën që meritojnë në çdo fushë të jetës dhe shoqërisë", thekson Mustafa.
Në fjalën e tij Mustafa bën të ditur se në mesin e anëtarëve të Koalicionit Kombëtar të Opozitës Siriane dhe Forcave Revolucionare ka shumë gra. "Me revolucionin, gratë kanë shikuar respektin që meritojnë. Është e drejta e tyre të jenë në procesin politik. Gratë siriane kanë paguar kosto të lartë për liri dhe një jetë më dinjitoze. Për hir të kësaj kanë sakrifikuar fëmijët e tyre, janë burgosur. Edhe komuniteti ndërkombëtar duhet të respektojë këto gra dhe t'i mbështesë ato", tha ai.
Muastafa shtoi gjithashtu se do të vazhdojnë të mbrojnë të drejtat e grave dhe se gratë do të kenë një vend të rëndësishëm në të ardhmen e Sirisë.
Sipas burimeve opozitare, në burgjet e regjimit në Siri ndodhen të paktën 500 mijë njerëz. Nga këto janë përcaktuar se mbi 13.500 gra janë torturuar ose përdhunuar në burgjet e regjimit. Ndërkohë që mbi 7.000 gra mbahen ende në burgjet e regjimit.