Gjermania refuzon kërkesën e Polonisë për dëmshpërblim për Luftën e Dytë Botërore
"Lidhur me kërkesën e presidentit polak për kompensim, presidenti federal theksoi se kjo çështje ishte zgjidhur ligjërisht dhe përfundimisht për Gjermaninë", thuhet në deklaratë

Berlin
Presidenti i Gjermanisë, Frank Walter Steinmeier thuhet se ka refuzuar përsëri kërkesën për kompensim që Polonia ka kërkuar për humbjet e saj në luftë dhe shkatërrimin që nazistët i shkaktuan vendit gjatë Luftës së Dytë Botërore, transmeton Anadolu.
Zëdhënësja presidenciale Cerstin Gammelin, në një deklaratë me shkrim të publikuar në platformën e mediave sociale të kompanisë amerikane X, tha se Steinmeier u takua në Berlin me presidentin polak Karol Nawrocki.
"Lidhur me kërkesën e presidentit polak për kompensim, presidenti federal theksoi se kjo çështje ishte zgjidhur ligjërisht dhe përfundimisht për Gjermaninë (në të kaluarën)", thuhet në deklaratë.
Deklarata vuri në dukje se përkujtimi dhe ruajtja e kujtimeve do të vazhdojnë të mbeten përparësi e përbashkët.
Sipas lajmeve në median gjermane, Nawrocki e ka shprehur hapur çështjen e kompensimit në takimin e tij me Steinmeier.
Pak para se të mbërrinte në Berlin, Nawrocki në një intervistë për gazetën "Bild" tha se "Çështja e kompensimit, sigurisht, nuk është finalizuar ligjërisht".
Polonia ka kohë që kërkon dëmshpërblim nga qeveria aktuale gjermane për shkatërrimin e shkaktuar ndaj vendit nga nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe për humbjet e saj gjatë luftës.
Partia Polake për Ligj dhe Drejtësi (PiS) e ngriti për herë të parë çështjen e dëmshpërblimeve në vitin 2017 ndërsa në vitin 2022 kur ishte në pushtet ajo formoi një komision parlamentar për këtë çështje.
Tre vjet më parë, komisioni e caktoi shumën e dëmshpërblimeve në 1.3 trilion euro.
Kërkesa e Polonisë për dëmshpërblim u refuzua edhe nga qeveria gjermane në atë kohë.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.