Ayhan Şimşek
15 Shkurt 2019•Përditësim: 15 Shkurt 2019
BERLIN (AA) - Gjermania dhe Franca po bëjnë thirrje për një “aleancë për multilateralizmin” midis vendeve me ide të njëjta për të mbrojtur rendin botëror të bazuar në rregulla kundër rritjes së nacionalizmit dhe politikës së pushtetit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një artikull të përbashkët të botuar dje për gazetën "Suddeutsche Zeitung", kryediplomatët e Gjermanisë dhe Francës paralajmëruan se rendi multilateral, nën të cilin aleancat e vendeve kanë synime të përbashkëta, po përjeton krizën më të rëndë që nga shfaqja e saj pas Luftës së Dytë Botërore.
“Ne besojmë fuqishëm se një angazhim i ri ndaj multilateralizmit, një aleancë për multilateralizmin, është më e nevojshme se kurrë më parë, nëse duam ta stabilizojmë rendin botëror të bazuar në rregulla, të mbështesim parimet e saj dhe ta përshtatim atë me sfida të reja kur është e nevojshme”, tha ministri gjerman, Heiko Maas dhe homologu i tij francez, Jean-Yves Le Drian.
“Prandaj ne duam të krijojmë një rrjet global të vendeve me ide të njëjta, të cilët janë të bindur se ndjekja e legjitimitetit, interesi kombëtar dhe mbrojtja e pronës kolektive të njerëzimit janë plotësisht të pajtueshme, jo reciprokisht ekskluzive”, theksuan dy kryediplomatët.
Maas dhe Le Drian shpallën propozimin e tyre para Konferencës dyditore të 55-të të Sigurisë, që ka filluar sot në Mynih dhe ku të dy ministrat pritet të japin komentet e tyre për sfidat e sigurisë globale dhe të politikës së jashtme.