Ekip
24 Shkurt 2021•Përditësim: 25 Shkurt 2021
Gana është bërë vendi i parë afrikan që siguroi vaksinat e koronavirusit të ri (COVID-19) përmes instrumentit COVAX, pasi rreth 600 mijë doza të vaksinës Oxford-AstraZeneca arritën në kryeqytetin Akra, transmeton Anadolu Agency (AA).
Zyra Rajonale e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për Afrikën njoftoi se dërgesa e vaksinave është vala e parë e mbërritjeve që do të vazhdojë edhe në ditët e ardhshme.
"Ne jemi të kënaqur që Gana është bërë vendi i parë që merr vaksinën COVID-19 nga instrumenti COVAX", tha Dr. Francis Kasolo, përfaqësues i OBSH-së në Gana.
Qeveria e vendit afrikan po ashtu njoftoi se Gana po pranon dërgesën me 600 mijë doza të vaksinës AstraZeneca të prodhuara nga Instituti Serum i Indisë (Covishield).
"Kjo është dërgesa e parë e vaksinave të marra përmes instrumentit COVAX, me të cilën midis 92 vendeve ka nënshkruar edhe Gana", tha qeveria.
COVAX bashkë-udhëhiqet nga Aleanca e Vaksinave (Gavi), Koalicioni për Inovacione të Gatishmërisë Epidemike (CEPI) dhe OBSH-ja dhe ka për qëllim përshpejtimin e zhvillimit dhe prodhimit të vaksinave COVID-19, si dhe të garantojë qasje të drejtë dhe të barabartë në vaksina për çdo vend në botë.
Sipas shifrave të Universitetit John Hopkins me qendër në SHBA, Gana deri më tani ka konfirmuar 584 vdekje nga koronavirusi dhe 81.245 infeksione.