Nazmi Abduramani
03 dhjetor 2015•Përditësim: 04 dhjetor 2015
SHKUP (AA) - Frontex sot është pajtuar me Greqinë për të zgjeruar aktivitetet e saj në kufirin me Republikën e Maqedonisë, ku agjencia do të ndihmojë për regjistrimin e emigrantëve. Ndërkaq, vendosja e oficerëve shtesë do të fillojë javën e ardhshme, thuhet në njoftimin zyrtar të Agjencisë evropiane për menaxhim me kufijtë e jashtëm, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në njoftim thuhet se sa më shpejtë do të realizohet vizitë e përbashkët në terren nga autoritetet greke dhe Frontex me qëllim që të përpunohen detajet teknike për vendosjen.
“Me rëndësi vendimtare është që të gjithë emigrantët që hyjnë në Bashkimin Evropian të regjistrohen ashtu siç duhet. Emigrantët në kufirin verior grek do të kontrollohen dhe ata për të cilët do të vërtetohet se nuk janë identifikuar në mënyrë përkatëse, do të regjistrohen", deklaroi drejtori ekzekutiv i Frontex, Fabrice Leggeri.
Forcimi i operacionit ekzistuese të Frontex-it mbi ishujt grekë dhe ndihma gjatë regjistrimit dhe marrja e shenjave të gishtërinjve të emigrantëve në kufijtë tokësorë të Greqisë ishin ndër konkluzionet e Samitit të liderëve të rrugës së vendeve të Ballkanit Perëndimor në tetor.
Në njoftim thuhet se Frontex tashmë po ndihmon autoritetet greke në identifikimin dhe regjistrimin e emigrantëve hyrës. Agjencia aktualisht ka 195 nëpunës në ishujt e Egjeut të cilat janë më të prekura nga flukset e migracionit, të cilët bëjnë identifikimin e emigrantëve dhe mbledhjen e informatave të inteligjencës lidhur me rrjetet për trafikim me njerëz. Vetëm në Lesbos, Frontex ka shpërndarë 83 nëpunës.
Në tetor, Frontex u bëri thirrje vendeve anëtare për të siguruar 775 policë kufitarë për aktivitetet e saj, ku 600 do të vendosen në Greqi. Shtetet anëtare deri më tani kanë ofruar 447 nëpunës.