Ekip
19 Maj 2020•Përditësim: 19 Maj 2020
Një numër i të pakënaqurve në partinë Lëvizja Republika në Marshim (La Republique En Marche-LREM) të Presidentit francez, Emmanuel Macron, kanë formuar një grup të ri në dhomën e ulët të parlamentit francez, bëhet e ditur të martën, raporton Anadolu Agency (AA).
Struktura e re do të quhet Grupi për Ekologji, Demokraci dhe Solidaritet, ose EDS. Kjo do të thotë se partia e Macron nuk do të ketë më shumicën në dhomën e ulët.
Në mesin e anëtarëve themelues të EDS-së janë kandidati aktual për kryetar bashkie të Parisit, Cedric Villani, ish-ministrja socialiste e Ekologjisë Delphine Batho, Paula Fortezza dhe Matthieu Orphelin, katër politikanë të shquar që kishin qenë ndër mbështetësit më besnikë të presidentit francez. Fortezza dhe Orphelin janë bashkë-kryetarë të EDS.
Grupi ka një numër qëllimesh të shprehura në një deklaratë, duke përfshirë "ambicien e fortë për transformimin social dhe ekologjik" dhe "t'i përgjigjet urgjencës ekologjike, të modernizojë demokracinë dhe të zvogëlojë pabarazitë sociale dhe territoriale".
Si arsye e ndarjes u theksua diferenca në lidhje me politikat tepër të orientuara nga biznesi, si dhe kontrolli shumë i ngushtë i sundimit të Macron.
EDS do të përbëjë grupin e nëntë politik në dhomën e ulët. Të gjithë deputetët që përbëjnë EDS, përveç Bartho, u zgjodhën për zyrtarë së bashku me LREM në zgjedhjet e vitit 2017.
Në një intervistë në kanalin e lajmeve LCI, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Francës, Jean-Yves Le Drian bëri një koment ku tha se LREM mbetet e sigurtë pavarësisht lajmeve. "Shumica nuk është në rrezik, larg kësaj", theksoi ai.