Burak Bir
17 Mars 2020•Përditësim: 18 Mars 2020
Në përpjekje për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të pandemisë së koronavirusit, duke filluar nga mesdita e sotme në Francë është vendosur një bllokim, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një fjalim televiz drejtuar kombit, mbrëmë presidenti francez, Emmanuel Macron, njoftoi se të gjithë qytetarët duhet të qëndrojnë të mbyllur në 15 ditët e ardhshme për të shmangur infeksionin e mëtejshëm dhe përhapjen e koronavirusit.
"Asnjëherë Franca nuk është dashur të marrë vendime të tilla, megjithëse të përkohshme, në kohë të paqes. E gjithë energjia jonë duhet të jetë në një qëllim, që është të ngadalësojmë përparimin e virusit", deklaroi Macron.
Masa e paprecedentë vjen pasi zyrtarët qeveritarë paralajmëruan popullatën për ashpërsinë e situatës dhe se tubimet shoqërore duhet të kufizohen, nëse nuk eliminoheshin.
Macron shprehu zhgënjimin e tij për faktin se qytetarët injoruan paralajmërimet.
Gjatë dy javëve të ardhshme, njerëzit do të lejohen të dalin nga shtëpia e tyre vetëm për nevoja themelore, të tilla si blerja e ushqimit, takime me profesionistë shëndetësorë, të kujdesen për fëmijët e tyre ose të prekurit, të ushtrojnë, të shëtisin kafshët shtëpiake ose të shkojnë në punë nëse puna në telekomandë nuk është e mundur.
Një forcë e përbërë nga 100 mijë policë dhe pjesëtarë të xhandarmërisë sot është shpërndarë në të gjithë Parisin për të zbatuar bllokimin.
Çdo person i zbuluar jashtë në një mision jo themelor dhe pa një shënim që përshkruan arsyen e daljes nga shtëpia do të gjobitet me 35 euro, gjobë e cila së shpejti mund të rritet në 135 euro.
Ministri francez i Punëve të Brendshme, Christophe Castaner, udhëzoi qytetarët që "thjesht të qëndrojnë në shtëpi" dhe theksoi se lëvizjet e tyre do të bazohen në një sistem ndershmërie.
Masat po ashtu vijnë në një kohë kur rastet e raportuara po dyfishohen çdo tre ditë në Francë dhe numri i vdekjeve vazhdon të rritet.
Sipas shifrave të fundit nga Ministria franceze e Shëndetësisë, numri i rasteve të raportuara është 6.633 dhe numri i të vdekurve është 148.
"Ne jemi në luftë, në një luftë shëndetësore. Natyrisht, ne nuk po luftojmë as kundër ushtrive, as kundër ndonjë kombi tjetër. Por, armiku ynë është atje i padukshëm dhe po përparon", tha Macron.