Ekip
04 Prill 2022•Përditësim: 05 Prill 2022
Franca ka njoftuar vendimin e saj për të dëbuar “shumë” diplomatë rusë disa orë pasi presidenti Emmanuel Macron bëri thirrje për sanksione të reja në dritën e mizorive të supozuara të kryera nga forcat ruse në qytetin Bucha pranë Kievit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Ministria e Punëve të Jashtme e Francës në një njoftim tha se do të dëbohen shumë diplomatë rusë me bazë në Francë, “veprimtaria e të cilëve është në kundërshtim me interesat tona të sigurisë”.
Ministria franceze theksoi se kjo masë e fundit është “pjesë e qasjes evropiane”.
“Përgjegjësia jonë e parë gjithmonë është të garantojmë sigurinë e francezëve dhe evropianëve”, thuhet më tej në njoftim, pa dhënë detaje mbi numrin e diplomatëve apo arsyen e saktë të dëbimit të tyre.
Një raport në ‘BFMTV News’ tha nga ky veprim do të preken 35 diplomatë rusë.
Më herët gjatë ditës, presidenti Macron në përgjigje të lajmeve nga qyteti Bucha tha se duhet të ketë një “seri të re sanksionesh dhe masa shumë të qartë”. Ai theksoi se vdekja e shumë civilëve në qytetin e çliruar Bucha përbën krime lufte për të cilat përgjegjës duhet të llogaritet ushtria ruse.
Dje, prokurorja e përgjithshëm e Ukrainës, Iryna Venediktova, tha se 410 trupa të civilëve u gjetën në zonat në rajonin më të gjerë të Kievit.
Ndërkohë, qeveria ruse ka mohuar se trupat e saj kanë vrarë civilë gjatë tërheqjes nga qytetet afër Kievit. Gjatë një takimi me zv/sekretarin e përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara (OKB)për çështjet humanitare, Martin Griffiths, ministri rus i Punëve të Jashtme, Sergey Lavrov, tha se pamjet e civilëve të vrarë janë inskenuar.
Lufta ruse kundër Ukrainës, e cila filloi më 24 shkurt, është pritur me zemërim ndërkombëtar, me Bashkimin Evropian (BE), SHBA-në dhe Mbretërinë e Bashkuar, ndër të tjera, që po zbatojnë sanksione të ashpra financiare ndaj Moskës.
Sipas të dhënave nga Kombet e Bashkuara (OKB), të paktën 1.340 civilë janë vrarë dhe rreth 2.100 të tjerë janë plagosur që nga fillimi i luftës në Ukrainë, megjithatë shifra e vërtetë dyshohet se është shumë më e lartë.
Agjencia e OKB-së për Refugjatë (UNHCR) njofton se mbi 4.1 milionë ukrainas gjithashtu kanë ikur në vendet fqinje, ndërkohë me miliona të tjerë janë zhvendosur brenda vendit.