Yusuf Özcan
18 Janar 2021•Përditësim: 18 Janar 2021
Franca i bëri thirrje Rusisë për lirimin e menjëhershëm të opozitarit rus Alexey Navalny, i cili u arrestua në Moskë menjëherë pas kthimit nga Gjermania, transmeton Anadolu Agency (AA).
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme franceze, Agnes von der Mühll, tha në një deklaratë se vendi i saj është thellësisht i shqetësuar për ndalimin e Navalny-t.
Duke theksuar se po e ndjekin situatën e Navalny-t me partnerët evropianë me shumë kujdes, Mühll tha se vendi i saj kërkon nga Rusia lirimin e menjëhershëm të opozitarit rus.
Ndryshe, 44-vjeçari Navalny është një kritik i ashpër i presidentit rus Vladimir Putin. Ai u sëmur në muajin gusht të vitit 2020 gjatë një fluturimi për në Moskë. Pas aterimit emergjent në qytetin siberian Omsk, ai kaloi dy ditë në një spital rus dhe më pas u dërgua në Berlin për mjekim.
Pas testeve në disa laboratorë, zyrtarët gjermanë thanë se Navalny ishte helmuar me agjentin nervor "Novichok", i cili gjithashtu u përdor, sipas qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar, në një sulm të vitit 2018 ndaj ish-spiunit rus Sergei Skripal dhe vajzës së tij në qytetin britanik të Salisbury.
Navalny u arrestua menjëherë pas mbërritjes në aeroportin e Moskës nga Gjermania.