Bota

Franca do të trefishojë ndihmën humanitare për Libanin

Franca do të trefishojë ndihmën e saj humanitare për Libanin dhe do të dërgojë një konvoj të parë prej 60 tonësh ndihmë emergjente këtë javë

Necva Taştan Sevinç  | 11.03.2026 - Përdıtësım : 11.03.2026
Franca do të trefishojë ndihmën humanitare për Libanin

Stamboll

Franca do të trefishojë ndihmën e saj humanitare për Libanin dhe do të dërgojë një konvoj të parë prej 60 tonësh ndihmë emergjente këtë javë, njoftoi sot ministri i Jashtëm francez, Jean-Noel Barrot, transmeton Anadolu.

Duke folur në televizionin TF1, Barrot tha se dërgesa do të përfshijë komplete sanitare dhe higjienike, dyshekë, llamba dhe një njësi mjekësore mobile për të mbështetur civilët e prekur nga bombardimet e vazhdueshme izraelite në Liban.

"Ky konvoj i parë që mban rreth 60 tonë furnizime humanitare, pritet të mbërrijë në Liban deri të enjten", tha ai.

Barrot shtoi se Franca tashmë ka ofruar mbështetje të drejtpërdrejtë financiare për katër organizata humanitare që veprojnë në terren. Ai theksoi se Parisi i sheh Forcat e Armatosura Libaneze si "forcën e vetme legjitime të aftë për të siguruar sigurinë e Libanit".

Duke komentuar mbi tensionet më të gjera rajonale, Barrot tha se Irani duhet të ndryshojë rrënjësisht politikat e tij.

"Nuk ka alternativa të tjera për regjimin përveçse të ndryshojë gjithçka nga lart poshtë", tha ai duke argumentuar se refuzimi i Teheranit për të negociuar ka kontribuar në operacionet e fundit ushtarake amerikane dhe izraelite.

Barrot paralajmëroi se përshkallëzimi i tensioneve mund të kërcënojë tregjet globale të energjisë dhe të rrisë çmimet e naftës. "Për të parandaluar që fuqia blerëse e francezëve të gërryhet nga rritja e çmimeve të naftës, problemi duhet të adresohet në burimin e tij: sigurimi i kalimit të sigurt të anijeve", tha ai.

Ai shtoi se Franca po punon për të ndërtuar një koalicion që synon të garantojë lirinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit. "Ne kemi nisur përpjekje për të ndërtuar një koalicion për të siguruar liri të qëndrueshme të lundrimit në Ngushticën e Hormuzit, siç kemi bërë për disa vite në Detin e Kuq", tha Barrot.

"Ekonomia globale nuk duhet të mbahet peng", tha kryediplomati francez duke paralajmëruar për rreziqet e mëdha që ndërprerjet në rrugën strategjike ujore mund të paraqesin për tregtinë ndërkombëtare.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.