Servet Günerigök
06 Nëntor 2018•Përditësim: 06 Nëntor 2018
WASHINGTON (AA) - Forcat amerikane nga e premtja kanë filluar patrullimin në veri të Sirisë, raporton Agjencia Anadolu Agency (AA).
Patrullimet e SHBA-ve u aktivizuan pasi paraprakisht Forcat e Armatosura Turke (TSK) bombarduan terroristët e YPG/PKK-së në atë zonë.
YPG është dega siriane e organizatës terroriste PKK, ndërsa prezantohet nën maskën e të ashtuquajturave Forcat Demokratike Siriane (SDF), të cilat SHBA-të i trajtojnë një partner në luftën kundër terroristëve të DEASH-it.
Zëdhënësi i Pentagonit, Rob Manning, tha sot se forcat amerikane filluan të patrullojnë të premten bashkë me forcat e "SDF-së".
"Nuk kemi të precizuara korniza kohore për patrullimet, por të njëjtat do të na ndihmojnë ne, Turqisë dhe partnerëve tanë të SDF-së për të mbajtur sigurinë në atë rajon", tha Manning.
Forcat amerikane javën e kaluar filluan patrullimet e përbashkëta me forcat turke në rajonin e Munbixhit i cili mbahet i pushtuar nga terroristët e YPG/PKK-së.
Marrëveshja për Munbixhin midis Turqisë dhe SHBA-ve e arritur në muajin qershor parasheh tërheqjen e terroristëve të YPG/PKK-së nga qyteti për të stabilizuar rajonin, i cili ndodhet në veri të Sirisë.
Manning tha sot se këto patrulla kanë për qëllim të ulin tensionet dhe të krijojnë stabilitet në rajon.