Fatjon Cuka
07 Shtator 2016•Përditësim: 07 Shtator 2016
TIRANË (AA) – Ka filluar sot në Tiranë konferenca dy-ditore e nivelit të lartë me temë: “Sfidat e institucioneve të Ombudsmanit përballë flukseve të përziera migratore”, ku merr pjesë edhe zëvendëskomisionerja e Lartë e OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Kate Gilmore, raporton Anadolu Agency (AA).
Organizimi i kësaj konference realizohet nga bashkëpunimi i katër organizatave më të mëdha ndërkombëtare të Ombudsmanëve si: Shoqata e Ombudsmanëve të Mesdheut (AOM) me president Avokatin e Popullit të Shqipërisë, Igli Totozani, Instituti Ndërkombëtar i Ombudsmanëve (IOI), Shoqata e Ombudsmanëve dhe Mediatorëve të Frankofonisë (AOMF) dhe Federata Ibero-Amerikane e Ombudsmanëve (FIO).
Në ditën e parë të punimeve të konferencës, do të diskutohet në disa panelei me fokus qendror nevojën për mbrojtje ndërkombëtare, si dhe daljen me një përgjigje të përbashkët për situatën e krijuar në flukset e refugjatëve dhe migrantëve.
Avokati i Popullit i Republikës së Shqipërisë, Igli Totozani, duke mbajtur fjalën e hapjes së konferencës u shpreh se autoritetet shtetërore përgjegjëse duhet të ndjekin dhe paraprijnë ritmin dhe zhvillimet dinamike të krizës së flukseve të përziera migratore.
“Sfiduese është përballja me një valë në rritje të ksenofobisë, që vjen edhe prej frikës e pasigurisë nga kriza ekonomike. Trajtimi humanitar i refugjatëve dhe migrantëve është detyrim për çdo vend, po aq sa është edhe njohja e të drejtave që u takojnë, bazuar në aktet përkatëse ndërkombëtare. Qasja dhe përgjigja ndaj kësaj krize duhet të bazohet në respektimin e të drejtave të njeriut, si dhe në ofrimin e garancisë se këto standarde nuk do të cenohen, qoftë nga pozitat e një vendi tranziti, apo destinacioni”, u shpreh Totozani.
Katër organizatat ndërkombëtare të Ombudsmanëve përfaqësojnë në këtë konferencë tërësinë e vendeve të origjinës, tranzitit dhe destinacionit me perspektivën e miratimit të një qasjeje të përbashkët përballë kësaj situate migratore.
Ndërkohë në përmbyllje të dy ditëve të punimeve të konferencës, konkluzionet do të përfshihen në një deklaratë të përbashkët, e cila do të quhet “Deklarata e Tiranës për Migracionin”.
Në konferencë ka një pjesëmarrje të gjerë të drejtuesve dhe përfaqësuesve të Avokatit të Popullit nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Turqia, nga vendet e tjera të Evropës, Afrika, si dhe nga vendet ibero-amerikane. Gjithashtu pjesëmarrës janë edhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare dhe shoqërisë civile që merren kryesisht me mbrojtjen e të drejtave të njeriut.