FBI shkarkon agjentin special të përfshirë në hetimin e Trump
Aaron Tapp mbikëqyri hetimet mbi përpjekjet e Trumpit për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, përfshirë një të quajtur "Arctic Frost"
 
                Stamboll
Byroja Federale e Hetimit (FBI) ka shkarkuar Aaron Tapp-in, një agjent special i cili dikur mbikëqyrte rastet e korrupsionit publik, përfshirë atë që u bë pjesë e hetimit të këshilltarit special Jack Smith mbi presidentin Donald Trump, transmeton Anadolu.
Shkarkimi i tij duket të jetë një tjetër shembull i fushatës së vazhdueshme të hakmarrjes nga administrata Trump.
Tapp, i cili së fundmi shërbeu si agjent special përgjegjës i zyrës së FBI-së në San Antonio, më herët ka qenë zv.drejtor ndihmës i Divizionit të Hetimeve Penale në selinë qendrore të FBI-së.
Në atë rol, ai mbikëqyri hetimet mbi përpjekjet e Trumpit për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, përfshirë një të quajtur "Arctic Frost".
Ky hetim kishte në qendër skemën e "elektorëve të rremë", në të cilën aleatët e Trumpit u përpoqën të paraqisnin vota elektorale të rreme nga shtetet që fitoi Joe Biden.
Së fundmi, ligjvënësit republikanë publikuan dokumente të FBI-së që përshkruanin hetimin "Arctic Frost" dhe akuzuan Smithin dhe drejtuesit e FBI-së për anshmëri politike, për përdorimin e thirrjeve gjyqësore të një jurie të madhe për të mbledhur të dhëna telefonike nga nëntë anëtarë republikanë të Kongresit.
Të dhëna, e siguruara në vitin 2023, përfshinin katër ditë rreth trazirave në Kapitol më 6 janar të vitit 2021, por nuk përmbanin përmbajtjen e telefonatave. Smith ka hedhur poshtë pretendimet për motiv politik, duke theksuar se thirrjet ishin masa standarde hetimore.
Sipas biografisë së tij në FBI, Tapp ka qenë pjesë e agjencisë amerikane të hetimeve për më shumë se 20 vjet.
Përveç tij, tre zyrtarë të tjerë të lartë të FBI-së që u shkarkuan në muajin gusht kanë paditur tani drejtorin e FBI-së, Kash Patel dhe administratën e presidentit Trump, duke pretenduar se shkarkimet e tyre ishin pjesë e një spastrimi politik të nxitur nga presioni në rrjetet sociale të lidhura me MAGA-n.
Paditësit, Brian Driscoll, ish-drejtor i përkohshëm i FBI-së, Steven Jensen, drejtor ndihmës përgjegjës për zyrën e Washingtonit dhe Spencer Evans, drejtues i zyrës në Las Vegas, pretendojnë se Patel e politizoi FBI-në për të mbrojtur pozicionin e tij.
"Patel jo vetëm që veproi në mënyrë të paligjshme, por zgjodhi me vetëdije t'i japë përparësi politizimit të FBI-së përpara mbrojtjes së popullit amerikan", thuhet në padi.
Gjatë seancave të konfirmimit në Senat, Patel dhe zyrtarë të tjerë mohuan çdo qëllim për të ndjekur hakmarrje politike, megjithëse Trump ka premtuar në mënyrë të përsëritur veprime të tilla gjatë tubimeve të fushatës së tij.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni. 
             
 
             
                                     
                                     
                                     
                                     
                                    