Lokman İlhan
14 Qershor 2017•Përditësim: 14 Qershor 2017
BOGOTA (AA) - Forcat e Armatosura Revolucionare të Kolumbisë (FARC) i kanë dorëzuar Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) një pjesë tjetër prej 30 për qind të armëve të tyre të mbetura në kuadër të marrëveshjes së arritur, pasi paraprakisht kishte dorëzuar pjesën e parë prej 30 për qind të armëve të mbetura, raporton Anadolu Agency (AA).
Procesi i dorëzimit të armëve i cili është planifikuar që më 20 qershor të finalizojë marrëveshjen e paqes të nënshkruar mes Qeverisë së Kolumbisë dhe FARC-ut, është duke vazhduar në 26 zona të krijuara në vend për mbledhjen e armëve, nën monitorimin e Mekanizmit të OKB-së për Monitorimin dhe Konfirmimin e Armëpushimit (MM&V).
Krahas zonave të tjera të mbledhjes së armëve, dorëzimi i fundit nga FARC ka ndodhur edhe në qytetin Buenos Aires në rajonin administrativ Cauca në transmetim të drejtpërdrejtë, ku 60 për qind e armëve të FARC-ut tani gjenden në duart e MM&V-së.
Ceremonia e dorëzimit u organizua pa pjesëmarrjen e presidentit të Kolumbisë Juan Manuel Santos për shkak të kushteve të pavolitshme të motit. Në të morën pjesë shefi i misionit të OKB-së në Kolumbi Jean Arnault dhe një përfaqësuesi i FARC-ut Pablo Catatumbo.
Gjatë fjalës së tij, Arnault ka theksuar se socializimi i FARC-ut paraqet simbol të periudhës së paqes.
Ndërkaq, Catatumbo theksoi se nga qeveria kërkojnë garanci për jetën e tyre përballë atentateve të mundshme ndaj liderëve të FARC-ut nga grupet lokale paramilitare në vend.