Emre Aytekin
11 Mars 2019•Përditësim: 11 Mars 2019
Kompania ajrore Ethiopian Airlines ka njoftuar se pas aksidentit që ndodhi dje ka ndaluar fluturimet me Boeing "737 Max 8", transmeton Anadolu Agency (AA).
Zëdhënësi i kompanisë, Asrat Begashaw deklaroi se si masë sigurie janë ndaluar udhëtimet e 4 avionëve të të njëjtit model me avionin e udhëtarëve të tipit Boeing 737 Max 8 i cili u rrëzua dje pak kohë pas ngritjes për udhëtim nga kryeqyteti etiopian Addis Ababa për në kryeqytetin e Kenias, Nairobi.
Begashaw tha se vazhdojnë punimet e kërkimit dhe inspektimit në rajonin ku ndodhen mbetjet e avionit të rrëzuar ku si pasojë humbën jetën 157 persona që ndodheshin në bord.
- Në 6 muaj 2 aksidente
Përfshirja në 2 aksidente të mëdha në 6 muajt e fundit e avionëve 737 Max 8 të prodhuar nga kompania amerikane Boeing, ka sjellë në rend dite debatet në lidhje me sigurinë e avionëve.
Poashtu tetorin e vitit të kaluar në avion udhëtarësh i tipit 737 Max 8 i kompanisë Lion në Indonezi u përfshi në një aksident ku si pasojë humbën jetën 189 persona që ndodheshin në avion.
Pavarësisht se ende nuk është përcaktuar shkaku i aksidenit, rrëzimi i avionëve pas problemeve të lartësisë me të cilat janë përballur dy avionët në një kohë të shkurtër 6 deri në 12 minuta pas ngritjes, forcon mundësinë se tek modelet në fjalë të ketë ndonjë problem teknik që buron nga prodhimi.
Kujtojmë se edhe Administrata e Aviacionit të Kinës, pas aksidentit ka dhënë urdhër ndaj të gjitha kompanive ajrore në vend për ndalimin e fluturimeve të avionëve të tipit 737 Max 8.
Ndërkohë edhe kompania ajrore Cayman Airlines e Ishujve Cayman njoftoi ndalimin e udhëtimeve të 2 avionëve të rinj të tipit Boeing 737 Max 8.
- Shkak i aksidentit mund të jetë programi i kontrollit
Boeing ndërtoi një motor më të madh për të bërë motorin e avionit më efikas në modelet e tij 737 Max, të cilin e ka zhvilluar kundër rinovimit që rivali i tij evropian Airbus bëri për modelin A321 i cili përdor karburantin në mënyrë më efikase në distancat e mesme. Po ashtu për menaxhimin e motorit të ri zhvilloi një program (sofware) të ri për kontrollin e fluturimit. Programi në fjalë dihet se përmban një sistem të quajtur "ligji kontrollit" që çaktivizon ndërhyrjen e pilotit kur piloti automatik është aktiv.
Fokusimet janë mbi mundësinë që aksidenti mund të ketë ndodhur nga kjo veçori, që çaktivizon kontrollin e pilotit në programin e kontrollit të fluturimit të 737 Max 8.
Avionët e klasit 737 dhe avionët A320 të prodhuar nga Airbus nën partneritetit francezo-gjerman janë avionët për pasagjerë më të shitur në botë. Boeing aktualisht ofron shërbim për kompanitë ajrore me 10 mijë avionë të tipit Boeing 737 ndërsa Airbus A320 me 8 mijë avionë.