Zafer Fatih Beyaz
28 Qershor 2022•Përditësim: 28 Qershor 2022
Presidenti i Türkiye-s (Turiqsë), Recep Tayyip Erdoğan do të zhvillojë takime dypalëshe në kryeqytetin e Spanjës, Madrid, ku ka ardhur për të marrë pjesë në Samitin e NATO-s, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në kuadër të Samitit të krerëve të shteteve dhe qeverive të NATO-s në Madrid, presidenti Erdoğan pritet të takohet me disa liderë të vendeve aleate dhe partnere në Qendrën e Kongresit IFEMA.
Është planifikuar që presidenti Erdogan të takohet me presidentin amerikan Joe Biden, presidentin francez Emmanuel Macron, kryeministrin britanik Boris Johnson, kryeministrin spanjoll Pedro Sanchez, kancelarin gjerman Olaf Scholz, kryeministrin holandez Mark Rutte, kancelarin austriak Karl Nehammer dhe presidentin e Këshillit Evropian Charles Michel.
Me pjesëmarrjen e presidentit finlandez Sauli Niinistö, kryeministres suedeze Magdalena Andersson dhe sekretarit të përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg, Erdogan do të jetë i pranishëm në takimin katërpalësh NATO-Türkiye-Suedi-Finlandë.
Në samitin ku do të shkëmbehen pikëpamjet në nivel strategjik përballë kërcënimeve dhe sfidave ndaj sigurisë euroatlantike, do të diskutohet për reflektimet e luftës Rusi-Ukrainë ndaj Aleancës dhe në këtë kuadër do të shqyrtohet struktura e parandalimit dhe e mbrojtjes së NATO-s.
Në samit do të jetë në rend dite edhe diskutimi për aplikimet e Finlandës dhe Suedisë për anëtarësim në NATO si dhe miratimi i dokumentit të ri të Konceptit Strategjik që do të udhëheqë punimet e ardhshme të Aleancës.