Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, theksoi se gjenerali rebel Khalifa Haftar, udhëheqësi i forcave jolegjitime të Libisë, nuk dëshiron ta zgjidhë çështjen libiane, raporton Anadolu Agency (AA).
Erdoğan, në kuadër të vizitës së tij në Senegal, u takua me homologun e tij, Macky Sall. Pas takimit palët organizuan një konferencë të përbashkët për media.
"Haftar nuk dëshiron ta zgjidhë çështjen, përkundrazi. Pas tij është Wagner, pas atyre dihet se kush qëndron. Këta janë legjionarë", tha presidenti turk.
Ai theksoi se Haftari për momentin as në Libi e as në komunitetin ndërkombëtar nuk ka asnjë njohje zyrtare.
Më 12 janar, palët në Libi njoftuan një armëpushim në përgjigje të thirrjes së përbashkët të presidentit turk dhe atij rus. Por dy ditë më pas, bisedimet për një armëpushim të përhershëm përfunduan pa një marrëveshje, pasi komandanti renegat libian, Khalifa Haftar, u largua nga Moska pa nënshkruar marrëveshjen.
Një javë më vonë, Haftar në Berlin pranoi kushtet për të caktuar anëtarët e një komisioni ushtarak të propozuar nga OKB-ja, me pesë anëtarë nga secila palë, për të monitoruar zbatimin e armëpushimit.
Që nga rrëzimi i sundimtarit Muammar Gaddafi në vitin 2011, në Libi u shfaqën dy qeveri rivale, njëra në Libinë lindore e mbështetur kryesisht nga Egjipti dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, ndërsa tjetra në Tripoli, e cila gëzon njohjen e OKB-së dhe atë ndërkombëtare.
Erdoğan foli edhe në lidhje me qytetin sirian, Idlib. "Bëhet fjalë për një lëvizje nga Idlibi drejt kufijve tanë. Kemi marrë masat tona në lidhje me këtë", u shpreh ai.
Turqia dhe Rusia ranë dakord në shtator 2018 për ta kthyer Idlibin në një zonë deeskalimi në të cilën aktet e agresionit janë të ndaluara shprehimisht.
Që atëherë, më shumë se 1.600 civilë janë vrarë në sulmet e regjimit dhe forcave ruse, pasi armëpushimi u shkel.