Bota

Emigrantja më e vogël në Evropë, në pritje në kufirin Bjellorusi-Poloni

Foshnja 5-muajshe Vida Cindi, më e vogla në mesin emigrantëve në drejtim të Evropës që kanë ngecur në kufirin Bjellorusi-Poloni, me padurim pret ditën kur do të shkojë në Gjermani me familjen e saj 7-anëtarëshe

Ali Cura  | 01.12.2021 - Përdıtësım : 02.12.2021
Emigrantja më e vogël në Evropë, në pritje në kufirin Bjellorusi-Poloni Foto: Sefa Karacan / AA

Grondo

ALI CURA

Foshnja 5-muajshe Vida Cindi, më e vogla në mesin emigrantëve në drejtim të Evropës që kanë ngecur në kufirin Bjellorusi-Poloni, me padurim pret ditën kur do të shkojë në Gjermani me familjen e saj 7-anëtarëshe.

Në zonën e mbyllur të qendrës së logjistikës, e përgatitur përkohësisht në rajonin kufitar Bruzgi të qytetit bjellorus, Grodno, rreth 2.000 persona, shumica e të cilëve janë nga Iraku vazhdojnë të presin për të kaluar në Evropë.

Në mesin e këtyre njerëzve, më së shumti vëmendje tërheq familja Cindi, të cilët janë nisur nga qyteti Zaho në veri të Irakut dhe destinacion e kanë Gjermaninë.

Hugir Cindi (26), i lodhur nga presionet e organizatave terroriste në vendin e tij, PKK dhe DEASH, ai vendosi të shkojë në Gjermani për të bërë një jetë më të begattë.

Hugir, para një muaji e mori bashkëshorten e tij 27-vjeçare Nesrin dhe vajzën tashmë 5-muajshe Vida dhe arriti në kryeqytetin e Bjellorusisë, Minsk. Bashkë me Hugir-in erdhën edhe babai i tij 57-vjeçar, një ish-peshmerga, Ali, nëna e tij 41-vjeçare Fatma, vëllai 24-vjeçar Karivan, vëllai 9-vjeçar Yaman dhe motra 12-vjeçare Dahas.

Familja Cindi bashkë me foshnjën Vida në krah, nga Minsk arritën në zonën pyjore të kufirit Bjellorusi-Poloni, ku pasi pritën me ditë, bashkë me një grup tjetër duke kaluar nga lumi hynë në territorin e Polonisë.

Ata u shtynë prapa në territorin e Bjellorusisë nga forcat polake të sigurisë. Pas disa përpjekjeve tjera, familja sërish u kthye prapa nga territori polak. Pasi iu shterrën mundësitë, familja Cindi kaloi në zonën e mbyllur të përgatitur për ta.

Ekipi i Anadolu Agency (AA) ndoqi jetesën e familjes Cindi bashkë me foshnjën Vida, që janë në pritje në zonën e mbyllur të siguruar nga qeveria e Bjellorusisë.

Familja Cindi është vendosur në dy çadra të vendosur në zonën e mbyllur ndërsa me ndihmat humanitare si jastëk-jorgan të siguruar nga populli dhe Kryqi i Kuq Bjellorus, kanë krijuar një zonë jetese.

Ato shfrytëzojnë dy herë, në mëngjes dhe drekë, nga ushqimi që u shpërndahet si dhe përfitojnë nga përparësitë që u jepet falë Vida-s së vogël. Pa pritur rend, Nesrin dhe Hugir në krahun e tyre me Vida-n, shkojnë tek çadra ku shpërndahet ushqim, gjithashtu shfrytëzojnë çdo lloj ndihme të organizatave të ndihmës.

Në rast të nevojës, ekipet e shëndetësisë, bëjnë kontrolle tek Vida, ndërsa ajo ka probleme me gjumin për shkak të turmës dhe mungesës së ambientit të qetë. Edhe pse familja përpiqet të bëjë një jetë të zakonshme në zonën që kanë ngritur përballë çadrës, vendi me qindra njerëz nuk e lejon këtë.

Për shkak të presionit të organizatës terroriste PKK dhe DEASH, nisën rrugëtimin

Hugir Cindi për AA tregoi se nuk kanë mundur të qëndrojnë në Irak për shkak të rrezikut dhe presioneve të organizatave terroriste PKK dhe DEASH dhe se kanë kaluar 35 ditë prej kur kanë dalë nga Iraku.

Ai tha se në pyllin në kufirin Bjellorusi-Poloni kanë qëndruar 20 ditë, por pastaj kanë mbetur pa ushqim dhe ujë. "Në Poloni kaluam 2-3 herë por na kthyen prapa", u shpreh ai duke folur për përpjekjet e tyre për të kaluar në Poloni.

Vajza e tij ka patur vështirësi në këtë udhëtim, tregon Hugir, duke shtuar se "Nuk kishte qumësht, ambient të ngrohtë. Përgjatë kufirit mbetëm 5 ditë. Pastaj erdhëm këtu (në qendrën e logjistikës)".

Cindi tha se zyrtarët bjellorusë i kanë ofruar komoditet për shkak se ka një vajzë të vogël. "Jetesa këtu është e vështirë. Na japin gjithçka por nuk është si në shtëpi. Është vështirë të flesh në çadër ku është turma, të hash bukë. Kam një fëmijë të vogël", tha Cindi.

Ai kërkoi nga Bashkimi Evropian që t'i japin leje-qëndrim. "Nuk mund të qëndrojmë këtu edhe një muaj. Është shumë vështirë të qëndrosh këtu. Ka gjithçka, ka ushqim por nuk ka shtrat si në shtëpi. Nuk mund të vazhdojmë kështu në këtë mënyrë", shtoi Cindi.

Vida, foshnja më e vogël në kamp

Nga ana tjetër, nëna e Vida-s, Nesrin duke theksuar se kalojnë shumë vështirë ditët me fëmijë në zonën ku qëndrojnë, tha se i ka marrë malli për shtëpinë e tyre në Irak por se nuk dëshiron të kthehet.

Ajo tha se dëshiron të shkojë në Evropë dhe se vajza e saj është foshnja më e vogël në kamp. Sipas saj, të gjithë njerëzit atje e duan shumë Vida-n, ndërsa në përkujdesjen e saj ndihmojnë të gjithë anëtarët e familjes.

Që nga 8 nëntori, në kufirin Bjellorusi-Poloni, mijëra persona me kërkesën për të emigruar në Evropë, shumica prej tyre nga Iraku dhe Siria, vazhdonin pritjen e tyre në kampet e improvizuara në pyll dhe pranë kufirit për të kaluar nga Bjellorusia në Poloni.

Më pas këto persona duke zbrazur kampin e improvizuar përgjatë kufirit, kaluan në zonën e mbyllur të përgatitur nga qeveria bjelloruse në rajon.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın