Bota

Elon Musk largohet nga administrata e Trumpit

"Ndërsa mandati im i planifikuar si zyrtar i posaçëm qeveritar po mbaron, falënderoj presidentin Donald Trump që më dha mundësinë për të ulur shpenzimet e panevojshme", tha Musk në një deklaratë në platformën sociale X

Nuri Aydın  | 29.05.2025 - Përdıtësım : 29.05.2025
Elon Musk largohet nga administrata e Trumpit

Washington

Biznesmeni miliarder amerikan Elon Musk ka bërë të ditur se po largohet nga posti si këshilltar i presidentit të SHBA-së Donald Trump, transmeton Anadolu.

"Ndërsa mandati im i planifikuar si zyrtar i posaçëm qeveritar po mbaron, falënderoj presidentin Donald Trump që më dha mundësinë për të ulur shpenzimet e panevojshme", tha Musk në një deklaratë në platformën sociale X.

Lidhur me Departamentin e Efikasitetit të Qeverisë (DOGE), të cilin ai e drejtoi gjatë mandatit të tij, Musk tha: "Misioni i DOGE-s do të bëhet më i fortë me kalimin e kohës dhe do të bëhet mënyrë jetese në të gjithë qeverinë".

Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë konfirmoi gjithashtu për Agjencinë Anadolu se Musk ka lënë postin e tij.

Largimi i Musk-ut vjen pas mosmarrëveshjeve mbi buxhetin e nënshkruar nga presidenti Trump dhe projektligjin për uljen e taksave, i cili përfshin rritje të mëdha të shpenzimeve.

"Sinqerisht, jam i zhgënjyer që shoh këtë projektligj masiv shpenzimesh që rrit deficitin në vend që ta zvogëlojë atë", tha Musk në një intervistë për CBS. "Ky projektligj minon punën që ka bërë ekipi i DOGE-s", tha ai.

- Musk shërbeu në mandatin e dytë të Trumpit

Musk në ditën e parë të Trumpit në detyrë u emërua në krye të DOGE-s, i cili u themelua për të ulur shpenzimet.

Që nga marrja e detyrës, mijëra vende pune janë shkurtuar në qeverinë federale si pjesë e masave shtrënguese të përgatitura nga Musk dhe ekipi i tij ndërsa ndihma e ofruar nga institucione të tilla si Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) është zvogëluar gjithashtu ndjeshëm.

Nga ana tjetër, Tesla, në pronësi të Musk-ut, i cili ka marrë rol aktiv në administratën e Trumpit dhe është bërë fokusi i kritikave për shkak të veprimeve të tij politike, është bërë subjekt i protestave dhe bojkoteve.

Fitimet neto të Teslës ranë me 71 për qind në tremujorin e parë të këtij viti krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın