Riyaz Khaliq
04 shtator 2020•Përditësim: 04 shtator 2020
Një grup ekspertësh të Kombeve të Bashkuara (OKB) sot paralajmëruan Kinën mbi ligjin e ri të sigurisë në provincën gjysmë-autonome Hong Kong, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një letër me 14 faqe drejtuar Kinës, 6 raportues të organit global shprehën "shqetësimin për fushën e gjerë të krimeve të përcaktuara si shkëputje dhe përmbysje" në ligjin e sigurisë kombëtare të vendosur nga Pekini në Hong Kong.
Kongresi Kombëtar Popullor i Kinës miratoi ligjin e sigurisë kombëtare për Hong Kongun në qershor i cili hyri në fuqi më 1 korrik, duke tërhequr kritika brenda Hong Kongut dhe në komunitetin ndërkombëtar, të cilat Pekini i ka hedhur poshtë si "ndërhyrje të huaja".
Ligji i ri me gjashtë kapituj dhe 66 nene penalizon katër lloje veprimesh dhe penalizon ata që janë të përfshirë.
"Krimet e shkëputjes, përmbysjes së pushtetit shtetëror, aktiviteteve terroriste dhe bashkëpunimit me forca të huaja ose të jashtme për të rrezikuar sigurinë kombëtare" janë katër krimet e përfshira në ligjin e ri të sigurisë.
Megjithatë, ekspertët e OKB-së, janë shprehur: "Ne paralajmërojmë që legjislacioni tepër i gjerë i sigurisë kombëtare ku perimetrat e saktë të veprimeve individuale që do të penalizohen janë të paqarta, të hapura dhe do të binin në kundërshtim me këtë aspekt të detyrimeve të traktatit të Shkëlqesisë suaj (Kinës)".
Ekspertët gjithashtu komentuan edhe shtimin e nenit 4 në ligjin e sigurisë kombëtare, i cili "pranon nevojën për të mbrojtur të drejtat e njeriut dhe liritë themelore" të garantuara në bazë të Ligjit Themelor të Hong Kongut.
"Ne theksojmë se siguria dhe të drejtat e njeriut janë të ndërthurura dhe jo të ndara", thuhet në letrën e ekspertëve.
Hong Kongu, i cili ka qenë nën sovranitetin kinez që nga viti 1997, ishte dëshmitar i protestave të mëdha vitin e kaluar kundër një lëvizjeje për të legalizuar ekstradimin e njerëzve që akuzohen nga Kina.