Hussein Mahmoud Ragab Elkabany,Ali Semerci
19 Shtator 2019•Përditësim: 20 Shtator 2019
Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) njoftuan se i janë bashkuar koalicionit ndërkombëtar për sigurinë detare të udhëhequr nga SHBA-të, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas agjencisë zyrtare WAM të EBA-s, pjesëmarrja në koalicion u njoftua në një deklaratë me shkrim nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Emirateve të Bashkuara Arabe.
"Ne bashkohemi në koalicionin ndërkombëtar të sigurisë detare të udhëhequr nga SHBA për të mbështetur përpjekjet rajonale dhe ndërkombëtare kundër kërcënimeve ndaj trafikut detar dhe tregtisë botërore, për garantuar sigurinë e energjisë në botë, për të ruajtur rrjedhën e energjisë në ekonominë botërore dhe për të kontribuar në ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare", thuhet në deklaratë.
Në deklaratë theksohet se koalicioni krahas mbrojtjes së tregtisë botërore dhe sigurisë detare për anijet e mallrave synon të mbrojë edhe interesat e vendeve që marrin pjesë në koalicion për të forcuar mbrojtjen dhe sigurinë e anijeve që kalojnë nëpër ngushtica.
Gjithashtu thuhet se vendi i detyrës së koalicionit do të jetë Ngushtica e Hormuzit, Bab-el-Mandeb, Deti Omanit dhe Gjiri Persik.
Pas sulmeve të ndërmarra ndaj kompanisë saudite të naftës Saudi Aramco, dje edhe Arabia Saudite njoftoi vendimin e saj për t‘iu bashkuar koalicionit ndërkombëtar për sigurinë detare të udhëhequr nga SHBA-të.
Në koalicionin e formuar me seli kryesore në Bahrein, krahas SHBA-ve marrin pjesë edhe Britania, Australia, Izraeli dhe Bahreini.