Murat Özgür Güvendik
25 Prill 2022•Përditësim: 27 Prill 2022
Dëmet materiale në fatkeqësinë e përmbytjeve, të cilat u shkaktuan nga shirat e dendur në provincën KwaZulu-Natal në lindje të Afrikës së Jugut, ku humbën jetën më shumë se 400 njerëz, janë mbi 1 miliard dollarë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në deklaratën e bërë nga qeveria e provincës KwaZulu-Natal, thuhet se kostoja e riparimit të dëmeve të shkaktuara nga përmbytjet në infrastrukturë dhe sektorë të tjerë do të arrijë në 1,1 miliardë dollarë.
Duke theksuar se këto shifra nuk janë të sakta dhe mund të rriten ose të zvogëlohen me kalimin e kohës, në deklaratë thuhet: "Këto nuk janë shifra përfundimtare. Është një pamje e shfaqur dy javë pas fatkeqësisë".
Në një deklaratë të bërë dje nga qeveria e provincës, thuhej se kostoja e dëmit pritet të kalojë 60 miliardë dollarë.
Mirëpo, në korrigjimin e bërë sot nga qeveria, është bërë e ditur se është bërë "gabim" në përllogaritjen e shifrës së shpallur dje, ndaj edhe përllogaritja është rishikuar.
Sipas të dhënave zyrtare, të paktën 435 persona humbën jetën në përmbytjet që ndodhën në Durban dhe rreth saj ku është porta e Afrikës së Jugut për në Oqeanin Indian dhe qendra më e madhe logjistike.
Mijëra familje, 551 shkolla dhe 60 spitale u dëmtuan nga përmbytjet dhe më shumë se 40.000 njerëz mbetën të pastrehë.
Ndërkaq, vazhdojnë kërkimet për 54 personat e zhdukur nga përmbytjet.
Në rajon ka edhe krizë uji dhe të energjie elektrike për shkak të dëmtimit të infrastrukturës.
Forca Kombëtare e Mbrojtjes së Afrikës së Jugut angazhoi 10.000 pjesëtarë nga personeli i saj për të ndihmuar rajonin javën e kaluar.