Ekip
17 Dhjetor 2016•Përditësim: 17 Dhjetor 2016
ZAMBOANGA, Filipine (AA) - Presidenti i Filipineve, Rodrigo Duterte kërcënoi të shtunën se do të shfuqizojë marrëveshjen e cila u mundëson trupave ushtarake të Shteteve të Bashkuara të Amerikës të qëndrojnë në Filipine, nga shkaku se agjencia amerikane vendosi të shtyjë vendimin për ndarjen e një pakoje të ndihmës për shtetin si rrjedhojë e shqetësimeve për sundimin e ligjit në këtë vend të Azisë Juglindore, raporton Anadolu Agency (AA).
“Mirupafshim Amerikë dhe puno mbi protokollin i cili do të ju nxjerrë jashtë nga Filipinet”, është cituar të ketë thënë Duterte me tu kthyer nga Kamboxhia në Singapor, ndërkohë që ka paralajmëruar SHBA-të të përgatiten për shfuqizimin e marrëveshjes (VFA) në bazë të së cilës është rregulluar qëndrimi i ushtarëve të saj në Filipine.
Të enjten, bordi i Korporatës Amerikane për Sfida të Mijëvjeçarit (MCC) publikoi një kumtesë në të cilën tha se granti me ndihma për Filipinet është anuluar ose shtyrë pasi i njëjti është pjesë e shqyrtimeve pas shqetësimeve për sundimin e së drejtës dhe ligjit për të drejtat e qytetarit.
Masa u zbatua në kohën kur grupe për të drejtat e njeriut, Kombet e Bashkuara dhe SHBA-të kanë shprehur shqetësimin e tyre në lidhje me vrasjet pa gjyq nën fushatën e Dutertes kundër drogave ilegale ku që prej korrikut kanë gjetur vdekjen mijëra të dyshuar.
Që nga fitorja në zgjedhjet e 9 majit, Duterte në vazhdimësi ka thënë se administrata e tij do të zbatojë politikë të huaj të pavarur, ndërkohë që ka bërë thirrje për largimin e trupave amerikane nga Filipinet.
Filipinet dhe SHBA-të kanë një marrëveshje dypalëshe në bazë të së cilës lejohet qëndrimi i ushtarëve amerikanë në tokën e Filipineve, si ndihmë në luftë kundër militantëve.
Duterte deklaroi të shtunën se është duke paralajmëruar amerikanët për një masë të mundshme dhe se vendimi përfundimtar do të merret së shpejti.
Ai tha se vendimin do ta bazojë në bazë të përcaktimit të administratës së re amerikane të presidentit Donald Trump, i cili gjatë një bisede telefonike më parë këtë muaj ka shprehur mbështetjen e tij për fushatën anti-drogë të Dutertes.
Agjencia amerikane për ndihma MCC, e formuar nga Kongresi amerikan në vitin 2004 përzgjodhi Filipinet për një pako prej 434 milionë dollarë.