Ekip
26 Shtator 2018•Përditësim: 27 Shtator 2018
MOSKË (AA) - Dhoma e Ulët e Parlamentit të Rusisë ka dhënë pëlqimin paraprak për propozimin e projekt ligjit kundërthënës të sistemit pensional, i cili rrit kufirin e moshës së pensionimit, gjë që ka shkaktuar pakënaqësi në opinionin rus, transmeton Anadolu Agency (AA).
Plani i qeverisë për të rritur kufirin e moshës për dalje në pension për 5 vite të tjera, si për burrat dhe gratë, ka shqetësuar të gjitha fraksionet politike në Rusi. Qytetarët e moshuar frikësohen se nuk do të jetojnë aq gjatë për të shijuar benefitet e jetës në pension ndërsa të rinjtë shqetësohen se zgjatja e mbajtjes të tyre në vendet e punës do të kufizojë mundësitë e tyre të punësimit.
Duma sot në leximin e dytë votoi për miratimin e ligjit, me çka kufiri i moshës për të dalë në pension për burrat do të jetë 65 vjeç, ndërsa për gratë 60 vjeç.
Projekt ligji duhet të kalojë edhe leximin e tretë dhe më pas të kalojë në Dhomën e Lartë të Parlamentit, apo në Këshillin e Federatës Ruse ndërsa në fund të dekretohet nga presidenti i vendit.