Servet Günerigök
09 Nëntor 2021•Përditësim: 09 Nëntor 2021
Zëdhënës i sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara (OKB), Stephane Dujarric, ka bërë të ditur se 16 persona të stafit kombëtar të OKB-së në Etiopi janë ndaluar, ndërkohë që gjashtë të tjerë janë liruar, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Ne jemi duke punuar me qeverinë e Etiopisë për të siguruar lirimin e tyre të menjëhershëm”, tha Dujarric, duke shtuar se trupit ndërkombëtar nuk i është dhënë asnjë shpjegim për shkakun e arrestimit të stafit.
Autoritetet në Etiopia akoma nuk janë prononcuar për rastin në fjalë.
Në fund të muajit shtator, Etiopia urdhëroi shtatë zyrtarë të OKB-së të lëshojnë vendin, duke akuzuar punonjësit e organizatave të ndryshme të OKB-së për “përzierje në punët e brendshme” të vendit. Ata u shpallën persona të padëshiruar.
Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, u “trondit” nga dëbimi dhe atëherë tha se të gjitha operacionet humanitare të OKB-së udhëhiqen nga parimet thelbësore të humanizmit, paanësisë, neutralitetit dhe pavarësisë.
Javën e kaluar, Etiopia shpalli gjendje të jashtëzakonshme pasi Fronti Çlirimtar i Popullit Tigray (TPLF) arriti përfitime ushtarake në rajonet Amhara, ngjitur me rajonin Tigray.
TPLF tha se ka marrë kontrollin e qyteteve strategjike Disi dhe Kombolcha në veri të rajonit Amhara.
Për shkak të konfliktit në Tigray, sipas OKB-së, e cila paralajmëroi për katastrofë humanitare, miliona njerëz janë zhvendosur brenda vendit.
Kryeministri Abiy Ahmed nëntorin e vitit të kaluar dërgoi trupa në Tigray në përgjigje të sulmeve mbi kampet ushtarake nga TPLF-ja.