Talha Yavuz
22 Shkurt 2022•Përditësim: 22 Shkurt 2022
Policia e Ukrainës ka bërë të ditur se dy ushtarë ukrainas dhe një civil janë vrarë kur separatistët pro-rusë hapën zjarr në rajonin lindor Donbas, transmeton Anadolu Agency (AA).
Policia ukrainase tha se po ashtu tre ushtarë të tjerë u plagosën në rajonin Zaitseve, si dhe një ushtar tjetër në rajonin Vodiane.
Policia njoftoi se civili u vra në Novoluganske si pasojë e zjarrit pro-rusë në rajon.
Tensionet në Ukrainën lindore u rritën në mënyrë dramatike javën e kaluar, me raporte për një numër në rritje të shkeljeve të armëpushimit, incidenteve të shumta të bombardimeve dhe evakuimeve të cilëve në rajonet separatiste pro-ruse Donetsk dhe Luhansk.
SHBA ka akuzuar Rusinë për grumbullimin e afër 150 mijë trupave përgjatë kufirit me Ukrainën në përgatitje për një pushtim të afërt.
Moska në mënyrë të përsëritur ka mohuar çdo plan për të pushtuar Ukrainën dhe ka akuzuar vendet perëndimore për minimin e sigurisë së Rusisë përmes zgjerimit të NATO-s drejt kufijve të saj.
Presidenti rus, Vladimir Putin, sonte vonë njoftoi se Moska njeh rajonet separatiste Donetsk dhe Luhansk.
Masa tërhoqi kritika dhe njoftime të menjëhershme të sanksioneve nga vendet perëndimore.
Në vitin 2014, Moska filloi të mbështesë forcat separatiste në Ukrainën lindore kundër qeverisë qendrore, një politikë që ajo e ka vazhduar gjatë shtatë viteve të fundit. Sipas Kombeve të Bashkuara (OKB), konflikti ka marrë mbi 13 mijë jetë njerëzish.