Ekip
13 Mars 2020•Përditësim: 16 Mars 2020
Një gjykatës federal urdhëroi lirimin nga paraburgimi të ish-analistes së inteligjencës së ushtrisë amerikane, Chelsea Manning, shkaku i dyshimeve se denoncuesja e WikiLeaks-it kishte tentuar vetëvrasje derisa ishte në paraburgim, transmeton Anadolu Agency (AA).
Gjykatësi i rrethit Anthony Trenga urdhëroi lirimin e Manning nga burgu, ku ajo ishte mbajtur që nga maji kur refuzoi të japë dëshmi para jurisë, pasi organi i procedurës paraprake që e kishte hetuar, ishte shpërbërë.
"Gjykata konstaton se paraqitja e zonjës Manning para Jurisë së Madhe nuk është më e nevojshme, me çka ndalimi i saj nuk shërben më për ndonjë qëllim detyrues", shkroi Trenga.
Manning duhet të paguajë gjobë prej rreth 256.000 dollarë, që iu caktua pasi ajo refuzoi të dëshmojë para jurisë, e cila po heton WikiLeaks-in, internet faqen e denoncuesve të krijuar nga sipërmarrësi australian, Julian Assange.
Të mërkurën, avokatët e Manning thanë që ajo kishte tentuar vetëvrasje derisa ishte në burg. Zyrtarët në qendrën e paraburgimit në Alexandria, Virxhinia, thanë që kishte pasur një incident dhe konfirmuan që Manning ishte i sigurt.
Para burgosjes së saj të fundit pasi refuzoi të dëshmonte, Manning kishte shërbyer 7 vjet në një burg ushtarak për rrjedhjet e qindra mijëra dokumenteve ushtarake amerikane në WikiLeaks. Ajo u la e lirë në vitin 2017 me urdhër të ish-presidentit amerikan, Barack Obama.
Assange po mbahet në një burg në Londër pasi gjykatat e Mbretërisë së Bashkuar konsiderojnë kërkesën amerikane për ekstradimin e tij në SHBA, ku ai është akuzuar për komplot me Manning për vjedhjen e materialeve të klasifikuara që ruheshin në një rrjet kompjuterik në Pentagon.