Handan Kazancı
15 Maj 2020•Përditësim: 15 Maj 2020
Në provincën veriore Saladin të Irakut së paku 3 persona janë vrarë nga terroristët e DEASH-it, bëri të ditur një zyrtar sot herët në mëngjes, raporton Anadolu Agency (AA).
Mehdi Taki, anëtar i Komisionit të Sigurisë së Këshillit Provincial të Saladinit, për AA tha se një kryetar fshati dhe dy vëllezërit e tij u vranë në sulmin e armatosur.
Terroristët i vunë zjarrin shtëpisë së kryetarit të fshatit. Forcat e sigurisë kanë filluar një operacion, shtoi Taki.
Në fund të vitit 2017, zyrtarët në Bagdad deklaruan zhdukjen e pranisë së DEASH-it në Irak.
Por, terroristët akoma janë të pranishëm në zonat rurale Anbar, Diyala, Kerkuk, Saladin dhe Mosul.
Ushtria irakiane vazhdon të kryejë operacione të shpeshta kundër grupit në këto pjesë të vendit.